Procedurë parahetimore për Aleksandar Nikolloskin, në pyetje miliona euro
Shkup, 23 shkurt – Prokurorja Villma Ruskoska mëngjesin e sotëm ka konfirmuar se kanë filluar procedurë parahetimore për Aleksandar Nikolloskin, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së, transmeton Zhurnal.
Ajo njofton se ende nuk kanë hapur procedurë hetimore por për momentin vetëm procedurë para hetimore.
“Ende nuk ka hetim, po bëhet procedurë parahetimore me çka do të dihet nëse do të hapet hetim. Tani për momentin kemi vetëm procedurë parahetimore”, thotë për “Skopje1” prokurorja Villma Ruskoska duke mos dashur të precizojë nëse procedura parahetimore ka të bëjë vetëm me larjen e parave apo edhe vepra tjera, si dhe nëse proedura ka të bëjë vetëm me të apo ka edhe persona tjerë.
Sipas informatave që ka arritur portali në fjalë, procedura përfshinë edhe një nga kundërzbuluesit më kryesorë në kabinetin e Gjorge Ivanovs, ish drejtor i “Fondit për Sigurim Shëndetësor”, i cili më pas u bë drejtor i një ferme për kanabis, një biznesmen i cili punon në ndërtimari, hotelieri dhe baste, një ish basketbollist, më pas një drejtor i një kompanie private me kapital rus, janë pjesë e hetimit që e ka filluar Prokuroria e Shkupit. Procedura parahetimore ka të bëjë me aktivitete për rrëzimin e Marrëveshjes së Prespës dhe për larjen e parave të cilat kanë ardhur nga një shtet lindor me ndikim botëror, ndërsa mjetet janë “miliona euro”.
Aleksandar Nikolloski ditëve të fundit tha se udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së një kohë të gjatë është përgjuar nga shërbimet. Kjo deklaratë ishte demantuar nga Naqe Çulev, ndërsa ministrja Sllavjanka Petrovska tha se kundër Nikolloskit është hapur hetim për larje të parave.//Zhurnal.mk