Pritet rinisja e evakuimeve nga “Azovstal”

Pas largimit të 50 civilëve të tjerë gjatë mbrëmjes së të premtes nga uzina Azovstal, pritet që edhe këtë të shtunë evakuimet të vijojnë. Akuzat e Ukrainës mbi sulmet e ushtrisë ruse nuk janë ndalur as në ditën e 73 të luftimeve ku sipas raportimeve forcat ruse po  hedhin në erë disa ura strategjike për të parandaluar kundërsulmet.

Presidenti Ukrainas Volodymir Zelensky është shprehur se bisedimet diplomatike mbi evakuminin e të izoluarve në uzinë vijojnë, teksa ka paralajmëruar Moskën se nëse vret civilët e bllokuar aty, kjo do të çonte në ndërprerjen e bisedimeve.

Zelensky është ndalur gjithashtu tek data 9 Maj, një datë e rëndësishme historike kjo për Rusinë e cila e feston atë që njihet si “Dita e Fitores” së trupave rus ndaj nazistëve gjermanë.

Teksa mediat ndërkombëtare shkruajnë se do të jetë kjo pikërisht dita kur Moska do t’i hapë luftë Ukrainës, Presidenti Zelensky ka bërë një hap duke ftuar Kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe Presidentin e vendit në Kiev.

“Zoti Scholtz është i mirëpritur. Ai është i ftuar të vijë kur të dojë në Ukrainë por ai mund të bëjë një hap të mençur dhe të fuqishëm politik duke qenë këtu në datë 9 Maj.   Nuk besoj se është e nevojshme t’iu shpjegoj përse. Unë fola edhe me Presidentin gjerman dhe ftova dhe atë gjithashtu”.

Ashpërsimi i qëndrimit gjerman ndaj agresionit rus në Ukrainë ka bërë që marrëdhëniet e dy vendeve të stabilizohen. Gjermania e cila ishte kundër dërgimit të armëve në Ukrainë, po ndihmon tanimë Kievin me artileri të rëndë. 

Disa javë më parë Ukraina ndaloi Presidentin gjerman të shkonte në Kiev si pasojë e marrëdhënieve të ngushta ekonomike të Rusisë me Gjermaninë.