Pritet rënia e çmimeve për 10%

Qeveria ka miratuar masën për kufizim të bruto fitimit për kategorinë ushqim dhe pije për tregtarët me shumicë dhe pakicë. Sipas hulumtimeve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, kjo masë do të ndikojë në uljen e shpenzimeve për kategorinë ushqim dhe pije në shportën e konsumatorëve me 10 për qind.

Enti shtetëror i statistikës ka konstatuar se çmimet për këtë kategori nga viti 2023, krahasuar me vitin 2024, janë rritur për 4 për qind.

“Qeveria në seancën e sotme ka miratuar vendim për të kufizuar marzhën e bruto fitimit për një pjesë të produkteve themelore ushqimore në 10 për qind dhe në tregtinë me shumicë dhe pakicë. Në listën e produkteve themelore ushqimore, në të ashtuquajturën shportë vjeshtore, janë të përfshira 73 produkte më të përfaqësuara në shportën konsumatore. Vlerësimet tona janë se me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shpenzimet për ushqim dhe pije joalkoolike do të ulen me një mesatare prej 10 për qind, me çka do të ulen shpenzimet e jetesës në shportën konsumatore për grupin ushqim dhe pije. Po ashtu tregtarët me shumicë dhe pakicë do të jenë të detyruar të shesin në sasi mujore të paktën 70 për qind të sasive të furnizuara në muajin gusht të vitit 2024 nga këto produkte në listë.”, – theksoi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

Masa të tilla për kufizim të fitimit do të ketë dhe në periudha të ardhshme, thotë ministri, Durmishi.

Sipas tij, parregullsitë dhe keqpërdorimet me rritjen e çmimeve do të mënjanohen dhe më shumë me fillimin e implementimit të ligjit për praktikat jokorrekte tregtare, që do të duhet të fillojë nga fundi i këtij muaji.