Princit saudit të kurorës sërish i shtrohet tapeti i kuq

Princi trashëgimtar i kurorës në Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, përgatitet me delegacionin e madh që e shoqëron në rezidencën e tij private pranë Parisit, në Chateau Louis XIV në Louveciennes, për ta përmbyllur turin e vizitave të tij në Europë. Në mbrëmje (28.07) Mohammed bin Salman u takua me presidentin francez Emmanuel Macron. Rezidenca e këtij të fundit në pallatin Elysee në Paris, kundrejt kështjellës së sauditit duket si një shtëpi modeste. Princi saudit banon në Francë në imobiljen private më të shtrenjtë në botë, të cilën ai e ka blerë para shtatë vjetësh për 275 milion euro përmes një rrjeti të segmentuar firmash.

Mbreti i ardhshëm i shtetit më të pasur të Gjirit Persik, që de facto është regjent qysh tani, në stacionin e parë të vizitës në Greqi u tregua zemërgjerë. Ai i premtoi kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, se do të zgjerojë potencialin e vendit të tij si një pikë referimi për hidrogjenin ekologjik. “Besoj, se ne kemi shumë mundësi historike që do t’i shfrytëzojmë sot”, tha mysafiri saudit në Athinë. Përmes një kablli të ri nënujor për elektricitet Greqia dhe Europa Juglindore do të „marrin energji të rigjenerueshme me çmim shumë më të ulët. Bashkëpunimi i ri ndryshon gjithçka për të dyja palët”, u shpreh Mohammed bin Salman ndërsa mikpritësi grek pohonte i kënaqur me kokë. Bashkëpunimi në sektorin e energjisë është natyrisht mjaft i mirëpritur në krizën aktuale në Europë.

Politika reale qendron mbi rezervat morale

Eshtë ky udhëtimi i parë në Bashkimin Europian, i princit të kurorës që nga tetori 2018. Asokohe në konsullatën saudite në Stamboll u vra brutalisht gazetari kritik arabo-saudit Jamal Khashoggi. Shërbimet sekrete amerikane dhe një raport i OKB-së të lenë të kuptosh, se vrasja në Turqi është bërë me miratimin e Mohammed bin Salman. Që nga ajo kohë në shumë vende perëndimore ai konsiderohej si një i përjashtuar politikisht. Kontakti me të shmangej – deri vitin e kaluar, kur u bë e qartë, që furnizimet ruse me naftë dhe me gaz nuk janë më të sigurta dhe duhej t‘u kushtohej më shumë rëndësi shteteve të pasura me energji në Lindjen e Mesme.

Bashkimi Europian për këtë arsësye tani nuk e ka më problem që të mbajë kontakte me monarkun absolut të Arabisë Saudite dhe sundimtarin de facto të saj. “Vizitat e përfaqësuesve të shteteve të treta në BE janë pjesë e natyrshme e marrëdhënieve tona, që verifikohen dhe zgjerohen”, u shpreh të enjten (28.07) Peter Stano, zëdhënësi i Shërbimit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve. “BE-ja është e interesuar, t’i forocojë raportet e saj me Arabnië Saudite në një sërë fushash, e në radhë të parë sa i përket energjisë dhe kthesës së gjelbër energjetike”, tha Stano më tej. Duke shtuar, se kjo vlen për të gjitha shtetet e Gjirit Persik. „Kjo është me avantazh për të dyja palët.”

Nga ana tjetër Komisioni i BE-së dhe Shërbimi i tij për Marrëdhëniet me Jashtë insistojnë, që të zbardhet vrasja e gazetarit Khashoggi. “Ne presim një hetim të plotë, sqarimin dhe përgjegjësinë për këtë rast. Kjo çështje shtrohet rregullisht”, thotë zëdhënësi i Shërbimit për Marrëdhëniet me Jashtë, Peter Stano. Me Arabinë Saudite është nisur një „dialog për të drejtat e njeriut”.