Presidenti Pendarovski pranoi letrat kredenciale të ambasadores së re të Zelandës së Re, Zhaklin en Frizel

Shkup, 10 nëntor – Presidenti Stevo Pendarovski pranoi sot letrat kredenciale të Zhaklin en Frizel, ambasadore e sapoemëruar e Zelandës së Re për Republikën e Maqedonisë së Veriut, me seli në Romë, Republika e Italisë.

Në fjalimin e tij në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale, presidenti Pendarovski theksoi se mes dy vendeve ekzistojnë marrëdhënie miqësore dhe një dëshirë e përbashkët për zhvillim më intensiv të tyre, si dhe për avancimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Presidenti vuri në dukje se megjithëse janë gjeografikisht shumë larg njëri-tjetrit, të dy vendet ndajnë vizionin dhe përgjegjësinë për zhvillim të qëndrueshëm dhe prosperitet ekonomik, përkushtimin për ruajtjen e paqes dhe sigurisë botërore, promovimin e dialogut dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve, si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, kumtoi zyra e shefit të shtetit.

Ambasadorja Zhaklin en Frizel tha në fjalimin e saj se Maqedonia e Veriut dhe Zelanda e Re kanë shumë të përbashkëta dhe se ndajnë një angazhim për demokracinë liberale dhe ruajtjen e shoqërive dhe ekonomive të hapura. Ajo theksoi se është krenare për 1500 qytetarët në Zelandën e Re me origjinë nga Maqedonia e Veriut, për të cilët tha se janë bërë pjesë e rëndësishme e strukturës së tyre sociale dhe shtoi se ato lidhje ofrojnë një bazë solide për rritjen e mëtejshme të marrëdhënieve në vitet në vijim.

Presidenti Pendarovski i uroi suksese ambasadores së Zelandës së Re në kryerjen e detyrës përgjegjëse dhe shprehu besimin se do të ketë mbështetjen dhe ndihmën e tij të plotë në kryerjen e detyrave të saj diplomatike.