Prej nesër zero për qind TVSH për prodhimet bazë ushqimore

Shkup, 16 mars – Të gjitha marketet të cilat shesin bukë, miell të tipit 400, qumësht me yndyrë prej 2 për qind, 3,2 dhe 3,5 për qind, sheqer të bardhë, vaj luledielli, mish dhe prodhime tjera të mishit, oriz të bardhë dhe vezë duhet më së voni deri nesër – 17 mars të vitit 2022 t’i përshtatin aparatet fiskale.

Siç informojnë nga Drejtoria për të ardhura publike, kjo do të thotë se të gjitha objektet e shitjes të cilat i shesin prodhimet e lartëpërmendura gjatë shitjes me pakicë, nevojitet të japin llogari fiskale me shkallë tatimore prej 0 për qind, gjegjësisht me shenjën “G” për të mira dhe shërbime të cilat janë të liruara nga tatimi i vlerës së shtuar.

“Obligimi ligjor rrjedh nga Ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për tatimin e vlerës së shtuar me të cilët përshkruhet lirim nga tatimi me TVSH për prodhimet bazë ushqimore. Apelojmë tek të gjithë që në kohë t’i përshtatin aparatet fiskale”, thonë nga DAP.

Ky vendim do të zbatohet prej nesër 17 mars dhe do të zgjasë deri më 31 maj të vitit 2022.