Prej nesër vaj mund të gjeni në çdo market, çmimi do të sillet rreth 150 denarë

Shkup, 20 prill – Çmimi i vajit do të jetë nga 2,20 deri në 2,40 euro ose maksimumi 2,50 euro dhe ky çmim do të mbahet sidomos pas festave. Në marketet do të ketë edhe vaj gatimi të mjaftueshëm. Qytetarët nuk duhet të frikësohen e as të blejnë më shumë për të grumbulluar, tha sot drejtori i Përgjithshëm i fabrikës “Bllagoj Gjorev” në Veles, Goran Llazov.

“Nuk pres rritje çmimesh. Pas festës, çmimi do të stabilizohet dhe marketet do të jenë të mbushura me vaj gatimi. Nuk ka nevojë që qytetarët të grumbullohen, do të ketë vaj të mjaftueshme në treg”, tha Llazov pas takimit me ministrat të Ekonomisë dhe të Bujqësisë, Kreshnik Bekteshi dhe Lupço Nikollovski, të cilët vizituan fabrikën.

Sipas Llazov, në Bullgari çmimi i vajit është 180 denarë ose gjashtë leva, ndërsa në Greqi rreth katër euro.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, drejtori theksoi se ka lëndë të parë të mjaftueshme. Furnizimet bëhen vazhdimisht nga Bullgaria.

Llazov dha shpresë se në zonat bujqësore të Maqedonisë së Veriut përsëri do të kthehet luledielli.

“Dikur prodhonim rreth 40 mijë tonë luledielli, ndërsa vitin e kaluar kemi blerë më pak se 4.000 ton. Kjo është vetëm 10 për qind e asaj që kemi pasur si shtet”, nënvizoi Llazov.

Kapaciteti vjetor i fabrikës “Bllagoj Gjorev” është 40.000 ton luledielli, dhe mund të magazinohen 16.000 ton vaj bruto.

“Nëse rriten sipërfaqet do të blejmë të gjithë prodhimin, nuk do të lëmë asnjë kokërr pa blerë”, theksoi drejtori.

Më herët ministrat siguruan se ka vaj por edhe si lëndë të parë.