Postecoglou mbron të drejtën për të apeluar pezullimin e Bentancur

Trajneri i Tottenham, Ange Postecoglou, ka mbrojtur vendimin për të apeluar pezullimin prej shtatë ndeshjesh ndaj Rodrigo Bentancur për komentet rreth shokut të skuadrës, Son Heung-min, duke kërkuar më shumë mirëkuptim kur lojtarët pranojnë gabimet e tyre.

Gjatë një interviste televizive në atdheun e tij, Uruguai, në qershor, Bentancur ishte pyetur nga moderatori për një fanellë të një lojtari të Tottenham dhe ai ishte përgjigjur: “E Son? Mund të jetë edhe kushëriri i Son, sepse të gjithë duken njësoj.”

Kapiteni i Koresë së Jugut, Son Heung-min, kishte reaguar në rrjetet sociale duke thënë se pas incidentit kishte pranuar kërkimfaljen e Bentancur. Por megjithatë, Federata Angleze e Futbollit e kishte akuzuar mesfushorin për një shkelje të rëndë të rregullave të saj, gjë që kishte rezultuar në pezullimin e tij për gjashtë ndeshje të Premier League dhe çerekfinalen e Kupës së Ligës kundër Manchester United.

“Kam thënë që në fillim, ai ka bërë një gabim dhe ne e kemi pranuar atë”, ka thënë Postecoglou. “Besojmë se pezullimi i parë ishte i ashpër dhe e kemi apeluar atë, gjë që mendoj se është e drejta jonë. Ky është i gjithë procesi.”

Postecoglou eka kritikuar qasjen e dënimeve të menjëhershme ndaj lojtarëve, duke thënë se edukimi duhet të luajë një rol më të madh pas rasteve të tilla.

“E kuptoj që njerëzit duan t’i dënojnë të tjerët menjëherë këto ditë, por siç e them gjithmonë, pjesë e procesit të vërtetë të edukimit është të kuptosh”, ka shtuar pesëdhjetë e nëntë vjeçari.

“Kur dikush bën një gabim dhe paguan për të, pjesë e këtij procesi është edukimi dhe shpresoj që mënyra se si trajtohet ai t’u tregojë të tjerëve rrugën e duhur. Qoftë Rodrigo apo kushdo tjetër. Unë jam mjaft i moshuar për të pranuar që kam bërë gabime edhe më të mëdha në jetë, por më është dhënë mundësia të mësoj prej tyre. Shpresoj se tani jam një njeri më i mirë për shkak të kësaj”, ka thënë Postecoglou.

Mungesa e Bentancur përkeqëson problemet e Postecoglou për udhëtimin e vështirë në fushën e Manchester City të shtunën.

Dy mbrojtësit qendrorë të formacionit të parë, Cristian Romero dhe Micky van de Ven, janë jashtë për shkak të lëndimeve, ashtu si sulmuesit Timo Werner dhe Richarlison.