Portierit 19-vjeçar të Union Berlinit, Berkin Arslanogullarit i amputohet këmba për shkak të kancerit të kockave

Klubi gjerman, Union Berlin ka organizuar një mbledhje fondesh për 19-vjeçarin Berkin Arslanogullari dhe familjen e tij pasi ish-portieri i tyre është diagnostikuar me kancer në kocka.

Portieri i ekipit U19, Berkin Arslanogullari, i cili ka veshur me krenari fanellën e Unionit që nga fëmijëria, aktualisht po lufton me betejën më të vështirë të jetës së tij, thuhet në përshkrimin e fushatës së grumbullimit të parave.

“Disa muaj më parë, Berkin u diagnostikua me kancer në kocka. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve dhe kimioterapisë intensive, kanceri ende nuk është mposhtur – si një masë shpëtimi, Berkinit iu desh t’i amputohej këmba disa ditë më parë”, thuhet fillimisht në njoftimin e klubit.

“Si një djalë i ri, Berkin ëndërronte të luante para tifozëve të Unionit në An der Alten Forsterai. Me përpjekje të palodhura, ai përparoi përmes ekipeve të të rinjve të Unionit dhe sezonin e kaluar iu dha mundësia të stërvitej me ekipin e parë për herë të parë. Kulmi i karrierës së tij deri më sot ishte kur ai luajti për skuadrën e të rriturve në një miqësore, një moment që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e tij”.

“Tani Berkin dhe familja e tij përballen me një detyrë të re të vështirë. Për shkak të nevojës së Berkinit për kujdes dhe mbështetje, prindërit e tij nuk mund të shkojnë më në punë dhe apartamenti aktual i familjes nuk është i përshtatshëm për personat me aftësi të kufizuara për shkak të numrit të madh të shkallëve dhe barrierave. Një apartament i ri ose rinovime të mëdha dhe rehabilitimi i ardhshëm janë thelbësore për të filluar një jetë të re – dhe e gjithë kjo është jashtëzakonisht e kushtueshme”.

“Berkin dhe familja e tij tani kanë nevojë për mbështetjen dhe unitetin e familjes Union. Për të lehtësuar sadopak barrën financiare dhe për t’i dhënë Berkinit mundësinë më të mirë për një të ardhme plot shpresë, është organizuar një fushatë për mbledhjen e fondeve. Çdo kontribut bën ndryshimin dhe ndihmon Berkin që të merr fillimin e ri që e meriton”, mbyllet njoftimi.

Union Berlin ka mbledhur tashmë mbi 80,000 euro dhe pret që kësaj kampanje t’i bashkohen edhe shumë klube, njerëz të njohur, tifozë futbolli dhe bamirës.