Politikat jo të duhura të Qeverisë po motivojnë mjekët të largohen nga vendi
Shkup, 20 shtator – Një deri në dy muaj do të vonohet hapja e konkursit për specializantët e rinj. Ministri i shëndetësisë, Arben Taravari tha se për momentin janë duke kryer analiza se ku ka më së shumti deficit të kuadrit mjekësor dhe në bazë të saj do ti shpallin konkurset.
Taravari vlerëson se më mirë është të ketë vonesë të konkursit sesa nëpër institucionet shëndetësore të ketë “mbipopullim” të specialistëve.
“Në bazë numrit të kërkesave që kemi për spitalet dhe klinikat në Maqedoni, ashtu edhe do ta vendosim numrin e specializantëve të ri. Prandaj, më mirë të vonohemi një muaj, ose një muaj e gjysmë, ose dy muaj me shpalljen e konkursit sesa të shpallim dhe të fitojmë specialist të cilët nuk i duhen shtetit”, tha Arben Taravari.
Oda e mjekëve vlerëson se institucionet kompetente duhet të krijojnë kushte adekuate për punësimin e specializantëve të rinj. Çdo variant tjetër do t’i motivonte ato që të largohen nga vendi.
“Oda e Mjekëve vazhdimisht ka shprehur qëndrimin se në vend duhet të krijohen politika që do të krijojnë kushte për punësime të mjekëve të rinj, duke siguruar të ardhura të mira, si dhe mundësi për zhvillimin e vazhdueshëm profesional të tyre. Vetëm kështu mund të jemi të sigurt se ata do të vazhdojnë të punojnë në vendin tonë. Çdo politikë tjetër mund t’i motivojë ata të shkojnë jashtë vendit”, thonë nga Oda e Mjekëve të Maqedonisë.
Në redaksinë e televizionit ALSAT kanë arritur ankesa në lidhje me mos hapjen e konkursit për specializant të rinj.
Ata ndihen të neglizhuar nga ana e institucioneve shtetërore. Konkursi i fundit ka qenë i hapur në vitin e kaluar, respektivisht në dhjetor të vitit 2023.
Qindra mjek të rinj presin hapjen e konkursit për profilizimin e tyre konkret, derisa thonë se zvarritja e konkurseve për specializim dhe sistemimi i tyre nëpër vendet e punës i motivon ata të kërkojnë punë jashtë vendit.