Politikani Hero?!
Nga: Delvina KËRLUKU
Heroizimi i liderëve politikë përbën një dukuri të njohur në shoqëritë me polarizim të theksuar partiak, siç është edhe realiteti politik në Maqedoninë e Veriut. Në diskursin militant, figura e politikanit dramatizohet, estetizohet dhe në fund, mitizohet deri në atë shkallë sa paraqitet si shpëtimtar providencial, si figurë e pagabueshme që sfidon rrethana armiqësore dhe përmbys pengesa historike. Kjo prirje është vërejtur ndër vite si te mbështetësit e Nikola Gruevskit, ashtu edhe te ata të Zoran Zaev apo Ali Ahmetit, ku narrativa partiake i ka projektuar si figura me peshë epokale. Megjithatë, ngritja simbolike nuk përbën provë të heroizmit, ajo është në thelb, një akt retorik dhe emocional i mbështetësve, jo një vlerësim etik i mbështetur në kriterin e virtytit.
Në traditën klasike, që nga Aristoteli, heroi nuk përkufizohet nga fama, por nga përputhja e veprimit me virtytin moral. Guximi nuk reduktohet në aftësinë për të përballuar kundërshtarët politikë në foltore parlamentare apo në fushata elektorale, ai është një qëndrim i ndërgjegjshëm në mbrojtje të së drejtës, edhe kur kjo bie ndesh me interesin personal apo partiak. Trimëria nuk është agresivitet retorik në përplasjet ndërmjet VMRO-DPMNE dhe LSDM, por gatishmëri për të mbrojtur parimin edhe kur kjo sjell kosto reale. Fisnikëria, nderi dhe dinjiteti nuk mund të bashkëjetojnë me tolerimin e korrupsionit, as me instrumentalizimin e institucioneve shtetërore për interesa të ngushta partiake.
Militantizmi partiak, i ushqyer nga besnikëria emocionale, shpesh e barazon efikasitetin politik me madhështinë morale. Një lider i aftë për të menaxhuar aleanca, për të neutralizuar kundërshtarë dhe për të ruajtur pushtetin perceptohet si i pathyeshëm — pra si “hero”. Në diskursin publik bashkëkohor, përkrahësit e Hristijan Mickoskit apo të figurave të tjera aktuale përdorin një gjuhë heroizuese për të theksuar vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre. Por aftësia për të konsoliduar pushtetin nuk është kategori etike, ajo i përket sferës së teknikës politike. Kur në themel të këtij konsolidimi qëndron zhvillimi ose tolerimi i korrupsionit, atëherë kemi të bëjmë me sukses strategjik, jo me heroizëm moral.
Heroizmi, në kuptimin e tij të plotë, kërkon sakrificë të vetes për parimin, jo sakrifikim të parimit për veten. Virtyte të tilla si guximi, trimëria, fisnikëria, nderi, besnikëria ndaj së vërtetës, vendosmëria dhe dinjiteti shfaqen më qartë tek ata që kanë kundërshtuar pushtetin e padrejtë, sesa tek ata që e kanë administruar atë në mënyrë oportuniste.
Prandaj, dramatizimi i liderëve nga militantët përbën një proces mitizimi, jo një akt verifikimi etik. Të quash hero një politikan që ka toleruar ose ushqyer korrupsionin — apo që ka bashkëjetuar me praktika autoritare — do të thotë të zëvendësosh kriterin moral me kriterin e lojalitetit partiak. Heroi i vërtetë nuk lind nga duartrokitja e turmës, por nga përballja e vetmuar me të padrejtën. Ai nuk ndërtohet mbi propagandë, por mbi sakrificë dhe integritet. Në mungesë të këtyre, fjala “hero” shndërrohet në një hiperbolë politike — jo në një kategori morale.
Historia ofron shembuj domethënës intelektualësh dhe shkrimtarësh që, sypatrembur, me dinjitet dhe heroizëm ishin ata që u përballën prej regjimeve represive si ai i Josip Broz Tito (regjim që burgosi djemtë dhe vajzat më atdhedashës, përfshirë edhe tim atë – mësimdhënës) apo regjimi diktatorial Enver Hoxha, që burgosi e vrau ata që zgjodhën të mos heshtin.
Figura si nobelisti Aleksandr Solzenitsin u përballë me burg, internim dhe përndjekje pikërisht sepse refuzuan kompromisin moral, duke dëshmuar se heroizmi lind nga integriteti, jo nga pushteti.

