Po vijnë ndryshimet për energjinë elektrike/ Kush harxhon më shumë, më shtrenjtë do të paguajë

Shkup, 16 maj – Në fazë të përgatitjes përfundimtare është ndryshimi më i madh i sistemit tarifor për energjinë elektrike që nga pavarësimi e deri më sot dhe është e sigurt se do të vendosen bllok tarifa. Për momentin po i bëjmë analizat e fundit me Fakultetin elektroteknik dhe makinerik – nëse do të ketë tre apo katër bllok tarifa, por është e sigurt se bllok tarifat nuk do të vlejnë për rrymën e lirë. Ato amvisëri që shpenzojnë më shumë do të paguajnë çmim më të shtrenjtë të energjisë elektrike, paralajmëroi sot kryetari i Komisionit rregullator për energjetikë dhe shërbime të ujit (KRRE), Marko Bislimovski.

“Për tarifën e lirë konsumi do të jetë i pakufizuar dhe nuk do të ekzistojnë blloqe, ndërsa më bllokun më të lartë çmimi për amvisëritë do të jetë shumë afër atij të tregut. Përvojat në rajon na tregojnë se ne do të jemi vendi i tillë i parë që do të zbatojë blloqe vetëm për tarifën e shtrenjtë, sepse konsiderojmë se tarifa e lirë duhet të mbetet pa kurfarë kufizime dhe amvisëritë ta shfrytëzojnë, sepse kjo i përgjigjet edhe sistemit tonë elektroenergjetik duke pasur parasysh se në periudha të caktuara të vitit në orët e natës për shkak të prodhimtarisë termo të tregut rregullator kemi edhe teprica të energjisë elektrike”, tha Bislimovski në konferencën e sotme për shtyp.

Theksoi se 17 familje në shtet shpenzojnë 10 për qind nga konsumi i përgjithshëm i amvisërive dhe shtoi se janë pagues 100-për qind të cilët nuk kanë kurfarë problemi me mbulimin e shpenzimeve për energji elektrike.

“Ajo është rreth 330 milionë kilovatë orë apo ajo është përafërsisht 30 për qind nga prodhimi vendor i hidroelektranave në pronësi të EMV-së. Shtatëmbëdhjetë amvisëri shpenzojnë 30 për qind të hidroprodhimtarisë. Nuk jemi kundër të shpenzojnë, sa të duan le të shpenzojnë, por ato amvisëri me konsum enorm do të paguajnë çmim të afërt me të tregut”, theksoi Bislimovski.

Do të shkojmë, saktësoi, me opsionin tre apo katër blloqe me qëllim që të kemi përfshirje më të madhe të qytetarëve që kanë konsum minimal, sa më shumë të jetë e mundur të përfshijmë kategori të ndjeshme të konsumatorëve dhe të përfshijmë amvisëri që nuk kanë opsion tjetër të ngrohjes përveç energjisë elektrike.

“Analizat tona tregojnë se në shtet ka rreth 660 mijë amvisëri dhe atë kemi amvisëri me konsum prej 0 deri 100 kilovatë orë – 21,49 për qind dhe ata janë më të shumtë. Prej 100 deri 200 kilovatë orë kemi 14,4 për qind, prej 200 deri 300 kilovatë orë kemi 14,86 për qind, prej 500 deri 1000 ka 19,81 për qind dhe mbi 1000 kilovatë orë është përafërsisht 7 për qind. Konsumi mesatar i amvisërive në shtet në nivel mujor paraqet 410 kilovat orë”, theksoi Bislimovski dhe saktësoi se 53 për qind e konsumit të energjisë elektrike janë në tarifën e shtrenjtë, ndërsa 47 për qind janë në tarifën e lirë.

Për ata konsumatorë shtëpitë e të cilëve janë të zbrazëta dhe fare nuk kanë konsum të energjisë elektrike, siç tha, po mendohet të vendoset një paushall i caktuar sepse në çdo moment kanë qasje drejt energjisë elektrike.