Po stabilizohet situata me fëmijët e sëmurë në Spitalin e Strugës

Strugë, 3 shkurt – Situata me fluksin e pacientëve në Repartin e Fëmijëve në Spitalin e Përgjithshëm në Strugë dalëngadalë po stabilizohet, informoi shefi i repartit të Pediatrisë, Bujar Prevalla.

Përveç se nga Struga dhe rajoni i saj, në këtë repart, sillen edhe fëmijë nga Ohri, pas orarit të shkurtuar të punës në Repartin e Fëmijëve në Spitalin e Ohrit, për shkak të deficitit të pediatërve.

“Pacientë vijnë nga Struga, Ohri dhe rrethina. Kishim shumë pacientë deri para një jave gati gjatë gjithë muajit të kaluar, tani për fat të mirë numri është ulur dhe mund të dalim në fund. Pacientë nga Ohri vijnë në ndërrimin e tretë dhe për fundjava, sepse në ndërrimin e parë dhe të dytë punojnë dy mjekë në Repartin e Fëmijëve në Ohër. Ne jemi gjashtë pediatër dhe tani për tani, puna po vijon normal dhe mund të arrijmë, deklaroi mjeku Prevalla.

Mjeku Prevalla thekson se muajin e kaluar ka pasur edhe numër të rritur të pacientëve, shumë shpesh me ftohje dhe infeksione virusale, por ka pasur edhe fëmijë me Kovid-19, të cilët po mjekohen në spitalin e Strugës, ndërsa në rast të situatës së përkeqësuar janë dërguar në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve në Shkup.