Plasohen 64,5 milionë euro ndaj kompanive vendore përmes Bankës Zhvillimore
Shkup, 22 dhjetor – Banka Zhvillimore e Maqedonisë së Veriut SHA Shkup ka plasuar mjete në vlerë prej 64,5 milionë euro nga kredia e Bankës Evropiane për Investime përmes linjës kreditore EIB 7 për kapital qarkullues të përhershëm dhe investime për NVM-të dhe kompanitë me kapital të mesëm, përfshirë edhe tranzicionin e gjelbër.
Me këto mjete mbështeten 201 projekte (94 për investime afatgjata dhe 107 për kapital qarkullues) dhe mundësohet hapja e 206 vendeve të reja të punës, njofton Banka Zhvillimore.
Mjetet nga linja kreditore vendosen përmes bankave komerciale dhe kryesisht janë të dedikuara për kompanitë në segmentin e prodhimit dhe tregtisë.
Huatë plasohen me normë interesi deri në 3.5% në vit ndaj përdoruesve të fundit. Afati i shlyerjes së kredisë është deri në 12 vjet për kreditë për investime dhe projekte me kapital mesatar, dhe deri në 3 vjet për kreditë për kapital qarkullues.
Me këtë kredi, të cilën Banka Zhvillimore e ka lidhur me BEI më 24.07.2023, janë siguruar 100 milionë euro me kushte të favorshme, si mbështetje direkte për kompanitë e vogla dhe të mesme dhe kompanitë me kapital mesatar të tregut.

