Plasin polemikat në Poloni, macja shtëpiake shpallet ‘specie aliene pushtuese’

Në korrik të këtij viti, Wojciech Solarz, një biolog në Akademinë Kombëtare të Shkencave Polake, e deklaroi macen shtëpiake një “specie aliene pushtuese”. Kështu nisi një polemikë në vendin europian, e përmasave të tilla që deshi daljen në televizion për të justifikuar vendimin.

Ndërkohë, akademia polake ka publikuar një artikull ku shpjegon dëmet që këto kafshë iu shkaktojnë të tjerëve në mjedisin e tyre. Sipas një studimi të vitit 2019 nga Universiteti i Shkencave Biologjike të Varshavës, macet shtëpiake vrasin rreth 583 milionë gjitarë dhe 135 milionë zogj në vit në Poloni.

Kjo specie (mace) ndoshta është zbutur rreth 10.000 vite më parë në djepin e qytetërimeve të mëdha të Lindjes së Afërt të lashtë, të cilat varionin nga Lugina e Nilit deri në Mesopotaminë jugore. “Nga një këndvështrim thjesht shkencor, në Evropë, dhe për rrjedhojë edhe në Poloni, duhet të konsiderohet specie ekzotike”, – shpjegojnë ata në përgjigje të një prej pyetjeve të bëra shpesh.

Ata sigurojnë se ka “prova të qarta shkencore të ndikimit negativ të maces shtëpiake (Felis silvestris catus) në biodiversitetin vendas”, prandaj konsiderojnë se ajo duhet të klasifikohet si një ‘specie aliene pushtuese’. “Ky klasifikim është në përputhje me përkufizimet e miratuara në bazën e të dhënave të specieve të huaja në Poloni”.

Sipas Akademisë Kombëtare të Shkencave Polake, pavarësisht “provave të një ndikimi negativ të maces shtëpiake në jetën e egër vendase, kjo specie nuk u përfshi në ‘speciet e huaja pushtuese’ që përbëjnë një kërcënim për Bashkimin Evropian”.

Ligji i BE-së nuk i ndalon autoritetet lokale të ndërmarrin veprime për të menaxhuar popullatat e maceve të egra, “me kusht që kjo të bëhet në përputhje me legjislacionin përkatës kombëtar”. Polonia ka pothuajse 1800 mace ekzotike, shumica e tyre pushtuese, sipas përkufizimeve të përmendura në raport.

Deri më tani, macja shtëpiake nuk përfshihej në listën e ‘specieve aliene pushtuese’ që përbëjnë kërcënim për Poloninë dhe as në atë që përbën rrezik për BE-në. “Megjithatë, duhen bërë përpjekje për të reduktuar ndikimin negativ të maces shtëpiake në faunën e saj vendase. Një nga mënyrat më të lehta është të kufizoni kohën që macet janë jashtë hapësirave të mbyllura gjatë sezonit të shumimit të shpendëve”.

Nga Polonia deklarojnë se “ndryshimet e shpërndarjes për shkak të futjes së specieve ekzotike ndodhin papritur”. Dhe ata i vënë në dukje këto procese si të panatyrshme, kryesisht për shkak të veprimtarisë njerëzore. Ata mbrojnë se “më shumë nuk është gjithmonë më mirë”, pasi “vlera e zonës nuk është gjithmonë proporcionale me numrin e specieve të pranishme”.

Si shembull tregojnë rajonet polare, ku çdo herë që vendoset një specie e çuditshme “ekosistemi ndryshon në mënyrë të pakthyeshme, një sistem unik që u krijua si rezultat i proceseve shumë të gjata natyrore”.