Pilotët ukrainas fillojnë fushatën “më blej një aeroplan luftarak”, me dëshirën e madhe që ta mposhtin ushtrinë ruse

Pilotët ushtarak të Ukrainës kanë filluar fushatën e quajtur “Më blej një aeroplan luftarak”, që të mund të vazhdojnë luftën kundër Rusisë që ka filluar pushtimin e këtij vendi.

Ukraina ka në total 210 aeroplanë luftarak, derisa forcat ajrore të Rusisë kanë në dispozicion mbi 1.400. Megjithatë, deri më tani ukrainasit kanë arritur t’i kundërpërgjigjen çfarëdo sulmi rus – qoftë nga toka, uji apo ajri.

Madje sa i përket aeroplanëve, filloi të qarkullojë edhe historia e pilotit ukrainas i njohur si “Fantazma e Kievit”, që brenda pak ditësh kishte rrëzuar mbi gjashtë aeroplanë rusë.

E duke parë se sulmet ruse kanë shkaktuar dëme të mëdha, pilotët ukrainas po kërkojnë ndihmë dhe më shumë aeroplanë luftarak.

Në fillim të luftës, aleatët ishin të gatshëm t’i ofrojnë aeroplanë ukrainasve, por së fundmi janë ndalur pasi perëndimi po i frikësohet eskalimit të situatës.

Nga sulmet ruse janë shkatërruar aeroplanët ukrainase që ishin të gatshëm për luftë, kurse aeroplanët rusë po bombardojnë çdo ditë ndërtesat kolektive, shkollat dhe spitalet.

Për këtë pilotët ukrainas kanë kërkuar nga organizata dhe persona të caktuar, që fuqinë e tyre politike dhe financiare ta shfrytëzojnë për t’ju blerë aeroplanë luftarakë.

Në liste ekzistojnë aeroplanët Su-22, Su-25, Su-27 dhe MiG-29 me të cilët pilotët ukrainas tashmë janë mësuar, e gjithashtu është publikuar edhe lista e lokacioneve që tregojnë se ku janë aktualisht të qasshëm këta aeroplanë.

Gjithashtu në listë figurojnë edhe aeroplanët amerikanë F-15, F-16 dhe F-18, pasi pilotët ukrainas mund të mësohen shpejtë me ta dhe të kontrollojnë plotësisht hapësirën ajrore.