Petrovska – Silvestri: Bashkëpunim i shkëlqyer dypalësh dhe aleat ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Italisë

Shkup, 2 shkurt – Aleatët në NATO, Maqedonia e Veriut dhe Italia kanë një bashkëpunim gjithëpërfshirës dhe intensiv të mbrojtjes i cili implementohet në fushën e arsimimit ushtarak, zhvillimit të kapaciteteve të Armatës dhe pjesëmarrjes dhe kontributit të përbashkët në një sërë nismash dhe operacionesh konkluduan në takimin e sotëm ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe ambasadori i Italisë në Shkup, Andrea Silvestri.

Siç informuan nga Ministria e Mbrojtjes, Petrovska i shprehu falënderim ambasadorit Silvestri për mbështetjen italiane për integrimet euroatlantike të Maqedonisë së Veriut dhe bashkëpunimin e shkëlqyer në mbrojtje.

“U potencua bashkëpunimi i shkëlqyer i pjesëtarëve të armatave të të dyja vendeve në misionin e NATO-s në Kosovë. Italia siguron mbështetje logjistike për pjesëtarët e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në këtë mision të Aleancës, ndërsa të dyja vendet bashkëpunojnë edhe në misionin e Kombeve të Bashkuara në Liban, ku dy oficerë të Maqedonisë së Veriut janë pjesë e kontingjentit italian”. potencojnë nga Ministria.

Në takim, siç theksohet në kumtesë, Petrovska dhe Silvestri janë angazhuar edhe për vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyer në mbrojtje i cili po realizohet në fushën e bisedimeve të ekspertëve për mbrojtje dhe trajnimeve në bashkëpunim civilo-ushtarak, logjistikë, polici ushtarake, siguri kibernetike.

“Italia këtë pranverë do të jetë një ndër vendet e shtata aleate që do të marrë pjesë në stërvitjen “Swift response 22″ në Krivollak. Është theksuar se të dyja vendet kanë një bashkëpunim jashtëzakonisht të frytshëm edhe në fushën e arsimimit ushtarak, në kuadër të të cilit në shkollat e larta ushtarake në Itali dërgohen oficerë dhe kadetë të Armatës”, theksohet në kumtesë.

Maqedonia e Veriut është pjesë edhe e Konceptit Kornizë të Kombeve, të udhëhequr nga Italia, që mundëson sinkronizim të përpjekjeve për zhvillim në disa fusha për bashkëpunim në mbrojtje, në kontekst të NATO-s.