Petrovska – Piç: Me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, Ballkani është më stabil dhe më i sigurt
Shkup, 31 janar – Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO e përforcoi stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan, ndërsa veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Me pjesëmarrjen e mbi 60 pjesëtarëve të Armatës në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, kontribuojmë në sigurinë rajonale dhe fuqishëm jemi të përkushtuar në vlerat e Aleancës si aleat i besueshëm, tha ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska në takimin e sotëm me Stjuart Piç, përfaqësuesin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor i cili po qëndron në vizitën e tij të parë në vendin tonë pas ndërmarrjes së këtij funksioni në dhjetor të vitit të kaluar.
Siç njoftoi Ministria e Mbrojtjes, Piç si njohës i shkëlqyeshëm i Ballkanit Perëndimor, ish-kryesues i Komitetit Ushtarak të Aleancës, ka shprehur kënaqësi që Maqedonia e Veriut më shumë se një vit është anëtare e plotfuqishme e Aleancës.
Ai e ka përshëndetur faktin që Maqedonia e Veriut e përfundoi integrimin ushtarak në vetëm 19 muaj, që siç theksojnë nga Ministria, është integrimi i shpejtë rekord ushtarak në historinë e NATO-s.
Ministrja Petrovska dhe përfaqësuesi special i Mbretërisë së Bashkuar në takim kanë biseduar edhe për bashkëpunimin bilateral në mbrojtje mes dy vendeve, për të cilën janë pajtuar se është shumë intensiv dhe në interes për të dyja vendet, për rajonin dhe për NATO-n.