Petrovska për vizitë në Komandën për operacione në Kumanovë dhe tek pjesëtarët e armatës në kazermën “Ilinden”

Shkup, 10 shkurt – Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, e shoqëruar nga shefi i Shtatmadhorisë, gjenerali Vasko Gjurçinovski, sot e vizitoi Komandën për operacione të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në kazermën e Kumanovës “Boro Menkov” dhe pjesëtarët e Bazës logjistike, Batalionin për forca speciale dhe batalionin e renxherëve në kazermën “Ilinden” në Shkup. Në takime, Petrovska porositi se Armata shumë herë e ka treguar vendin e vet në shoqëri, duke e arritur e para në ndihmë të qytetarëve, çdoherë kur është nevojitur.

Petrovska, siç informojnë nga MM, porositi se buxhetimi i mbrojtjes që bazohet në zhvillim është stabil dhe në rritje të vazhdueshme. Këtë vit buxheti mbrojtës është në vlerë prej 1,77 për qind nga bruto prodhimi vendor, ndërsa Ministria dhe Qeveria mbeten fuqishëm në qëndrimin se plani për ndarje të 2 për qind të BPV-së deri në vitin 2024 për mbrojtje, do të realizohet.

Komandanti i Komandës për operacione, gjenerali brigadier, Besnik Emini e informoi ministren për aktivitetet dhe kompetencat e Komandës dhe për planet për zhvillim të qëllimeve dhe aftësive të saj.

Në kazermën “Ilinden” në Shkup, ministrja brifoi për aktivitetet e Bazës logjistike, batalionit për forca speciale dhe Batalionit të renxherëve. Pjesëtarët e këtij batalioni para ministres Petrovska kryen stërvitje në kullën alpiniste, përderisa njësitë speciale të armatës treguan disa nga aftësitë e tyre në shkathtësi luftarake.