Petrovska: Integrimi evropian është një forcë lëvizëse për Ballkanin Perëndimor
Shkup, 2 dhjetor – Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska sot në Krems të Austrisë mori pjesë në Takimin ministror për bashkëpunim në mbrojtje të Evropës Qendrore dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku u diskutua për perspektivën evropiane të vendeve të rajonit.
“Këto kohë sfiduese përfaqësojnë gjithashtu një mundësi unike për të gjithë ne për të forcuar bashkëpunimin e sigurisë dhe për të intensifikuar dialogun e ndërsjellë. Këto janë kohë në të cilat duhet të angazhohemi për integrim të shpejtë dhe efikas evropian të të gjithë Ballkanit Perëndimor”, tha ministrja Petrovska.
Rajoni, thekson ajo, i përket Evropës dhe Bashkimit Evropian, ndërsa vendet tona, veçanërisht Maqedonia e Veriut, kanë treguar se janë të përkushtuara ndaj parimeve dhe vlerave evropiane. Procesi i anëtarësimit duhet të jetë i besueshëm, sepse, siç theksoi ajo, integrimi evropian është motivimi më i fortë për zhvillim dhe është ideja më e mirë që lidh rajonin.
Në kuadër të Bashkëpunimit të mbrojtjes së Evropës Qendrore, Ministrja e Mbrojtjes tha se vendet anëtare janë jashtëzakonisht të rëndësishme në mbështetjen e procesit të anëtarësimit, veçanërisht në ngritjen e kapaciteteve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke punuar sipas parimeve të qeverisjes së mirë dhe funksionimit të shtetit ligjor.
“Ballkani Perëndimor nuk ka kohë për një tjetër momentum të humbur në procesin e integrimit evropian. Unioni duhet të jetë pragmatik, për të mundësuar akses më të lehtë në projektet investuese, ndërsa veçanërisht në ndërtimin e institucioneve dhe shoqërive demokratike. Maqedonia e Veriut është fuqishëm e përkushtuar ndaj procesit të shqyrtimit tashmë të filluar, sepse për ne integrimi në Union është shtysa më e fortë për demokracinë, prosperitet dhe siguri për të gjithë qytetarët tanë”, theksoi ministrja e Mbrojtjes.
Bashkëpunimi i Mbrojtjes Qendrore të Evropës Qendrore është themeluar në vitin 2010, ndërsa anëtarë të tij janë shtatë vende: Austria, Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia, Hungaria, Kroacia dhe Polonia si vend vëzhgues. Maqedonia e Veriut ka bashkëpunuar në mënyrë aktive me këtë iniciativë që nga viti 2016, ndërsa qëllimi kryesor është forcimi i sigurisë rajonale dhe shkëmbimi i aftësive mbrojtëse.

