Petrovska-Bomgartner: Negociatat aderuese me BE-në duhet të fillojnë sa më shpejtë të jetë e mundur
Shkup, 9 shkurt – Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska sot pati takim me ambasadorin francez në Maqedoninë e Veriut, Siril Bomgartner. Konkludimi nga takimi është se të dy shtetet kanë bashkëpunim të afërt dhe të frytshëm, ndërsa këtij bashkëpunimi i paraprijnë edhe perspektiva të reja dhe interesante në të ardhmen sepse dy vendet janë shumë të përkushtuara në këtë, informojnë nga pres-shërbimi i MM-së.
Nga Ministria thonë se Petrovska ka folur për politikën e përbashkët të sigurisë dhe të mbrojtjes së Unionit, me ç’rast theksoi se Maqedonia e Veriut kontribuon në këtë fushë. Duke e pasur parasysh se Franca është kryesuese me Bashkimin Evropian në gjysmën e parë të vitit, ministri theksoi nevojën për një fillim të shpejtë të negociatave për anëtarësim në Union.
“Maqedonia e Veriut ka bërë avancim jashtëzakonisht të madh dhe nevojitet që Unioni ta bëjë hapin e ardhshëm i cili do të jetë motivim i fuqishëm për zhvillim edhe më të madh. Vendi i respekton dhe i mbështet politikat evropiane dhe vendi ynë është në BE. Vitet e fundit kemi bërë shumë, reformat janë të dukshme dhe prandaj meritojmë për ta filluar procesin aderues”, theksoi Petrkovska.
Bomgartner porositi se Franca tërësisht e mbështet Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt Unionit dhe se negociatat aderuese duhet të fillojnë sa më shpejtë të jetë e mundur.
Bashkëpunimi midis dy vendeve dhe dy armatave, thonë nga MM-ja, mund të shihet edhe përmes trajnimeve të përbashkëta dhe pjesëmarrjes së përbashkët në stërvitjet ushtarake. Në stërvitjen e ardhshme më të madhe ushtarake deri më tani të organizuar në vend “Swift Response 22” do të marrin pjesë edhe ushtarë francezë.
Dy shtetet bashkëpunojnë në mënyrë aktive edhe në fushën e trajnimit gjuhësor dhe shkollimit të pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në shkollat më të larta ushtarake në Francë.

