Petliçkovski bën thirrje për vaksinim me dozën e tretë, si mënyrë e vetme për të luftuar virusin

Shkup, 1 shkurt – Omikroni mund të shmangë imunitetin e arritur nga kalimi i variantit delta dhe mund ta shmangë edhe imunitetin i cili është arritur me vaksinë nëse ajo është marrë shumë kohë më parë. Për këtë mënyra e vetme që të ulet numri i rinfeksioneve mbetet vaksinimi kundër Kovid-19, duke përfshirë dozën e tretë për të cilën ka shumë studime të cilat tregojnë se mbrojtja nga infeksioni rritet mbi 80 për qind me zbatimin e saj, theksoi sot kryetari i ri i Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse, Aleksandar Petliçkovski.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas konferencës për media në të cilën ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali e kumtoi përbërjen e re të Komisionit tha se insistojnë që edhe më tutje të mbeten masat ekzistuese për mbrojtje, maska, distanca.

Zëdhënësi i Komisionit, Zllate Mehmedoviq tha se nuk do të ketë ndryshim në pjesën e asaj se si shfrytëzohen certifikatat.

“Konsiderojmë se në atë mënyrë më së miri do të mbrohet popullata e cila nuk ka krijuar imunitet. Transmisioni i virusit është ende në nivel të lartë. Gjendemi në muajt e dimrit kur ajo shpërndarje është lehtësuar edhe më shumë dhe nëse tani bëjmë një hap të tillë radikal për shfuqizimin e certifikatave për kovid veçanërisht nëse marrim parasysh se kemi shkallë shumë të ulët të vaksinimit kjo do të jetë diç që mundet dukshëm ta rëndojë sistemin shëndetësor dhe tani ajo masë do të ishte absolutisht kontraproduktive dhe për këtë nuk do të shqyrtohet në periudhën e ardhshme përderisa ende jemi në një gjendje të tillë krize”, shtoi mjeku Mehmedoviq, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.

Mjeki Ilir Demiri nga Klinika Infektive, i cili është anëtar i Komisionit, tha se njerëzit nuk duhet aspak të qetësohen se varianti omikron është më i lehtë.

“Varianti Omikron është më i lehtë në pjesën më të madhe të infektimit, megjithatë mos harroni se një pjesë e mirë e atyre që lehtë e kalojnë janë të vaksinuar. Te një pjesë e caktuar e popullatës e cila nuk është vaksinuar omikroni di të ketë manifestim të rëndë klinik. Për momentin punojmë me kapacitete të plota. Jemi në koordinim edhe me qendra të tjera të kovidit. Numri i pacientëve të cilët kanë nevojë për mjekim spitalor është rritur dukshëm. Deri më sot nuk kam evidentuar asnjë pacient i cili ka ndërruar jetë nga Kovid-19, i cili është vaksinuar rregullisht pa komorbiditete, ndërsa jam dëshmitar i shumë pacientëve pa komorbiditete, të pavaksinuar të cilët kanë ndërruar jetë”, tha mjeku Demiri.

Ai i porositi qytetarët se masa e vetme e cila do të na mbronte dhe që më mirë të kalojë Kovid-19 është vaksinimi.

“Qytetarët duhet të vaksinohen, sepse për momentin ky është shpëtimi nga Kovid-19”, shtoi mjeku Demiri, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.