Pesë diplomatë rusë shpallen persona non grata

Shkup, 28 mars – Në hapësirat e Ministrisë së Punëve të Jashtme është thirrur Ambasadori i Federatës Ruse në vend, Sergei Bazdnikin, të cilit i është dorëzuar notë diplomatike, me të cilën pesë diplomatë nga Ambasada e Federatës Ruse janë shpallur të padëshirueshëm në vend ose persona non grata.

“Sipas informacioneve që kemi marrë, punonjësit e përmendur të Ambasadës së Federatës Ruse kane kryer aktivitete në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike. Diplomatët rusë do të duhet të largohen nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në pesë ditët e ardhshme”, shtohet në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Vitin e kaluar MPJ persona non-grata i shpalli dy diplomatë rusë, njërin në maj, ndërsa tjetrin në gusht dhe i dëboi nga vendi. Në të dyja rastet Rusia reagoi me masa reciproke, gjegjësisht me dëbimin e diplomatëve të Maqedonisë së Veriut nga Moska.