Përpunimi i kartëmonedhave të para është zhvilluar me dorë

Shkup, 2 gusht – Çdo simbol në kartëmonedhën maqedonase ka rëndësinë e vet të veçantë dhe e pasqyron historinë tonë, me të cilën mund të krenohemi. Prodhimi i bonove të para mori shumë kohë. Kam pasur shumë netë pa gjumë, por edhe përgjegjësi të madhe, thotë për MIA-n, disenjatori i parave të para maqedonase Borçe Todoroski.

Kuponat me vlerë u prezantuan si mjet pagese në vend në vitin 1992, kur paratë e letrës jugosllave nuk vlenin më, ndërsa monedhat prej 1, 2 dhe 5 denarë mbetën të vlefshme edhe një vit.

Më 7 shkurt të vitit 1992, në kasafortën e BPRM-së u depozituan 27.858.696 copë kupona me vlerë. Ato u lëshuan në prerjet 10, 25, 50, 100, 500 dhe 1000 njësi dhe kishin dizajn të unifikuar, por ngjyrë të ndryshme. Mbi to nuk ishte shkruar emri i monedhës së re kombëtare. Në pjesën e përparme motivi kryesor ishte Maqedonia dhe në anën e pasme mbledhësit e duhanit.

Todoroski shpjegoi për MIA-n se prodhimi i bonove është bërë me dorë – ai ka vizatuar me stilolaps, në piktografë.

“Bërja e kuponëve të parë mori më shumë kohë nga sa mendoja. Gjithçka bëhej me dorë – vizatoja me stilolaps, në pitografë. Kisha frymëzim të madh, por edhe frikë dhe shqetësim nëse do t’ia dilja. Kuponat e para i bëra me dorë, pa asnjë mjet kompjuterik. E ndërroja ngjyrën në çdo gjysmë ore për të arritur një ngjyrë të caktuar dhe ishte mjaft e lodhshme. Por në atë kohë nuk kishte mundësi të tjera dhe e gjithë kjo duhej të përfundonte për një kohë shumë të shkurtër”, shpjegon Todoroski për MIA-n.

Çdo simbol i kartëmonedhës e pasqyronte historinë tonë

Në vitin 1993 u lëshua seria e parë e kartëmonedhave me vlerë 10, 20, 50, 100 dhe 500 denarë. Në paratë janë prezantuar monumentet tona më të famshme, siç janë “Shën Sofia” në Ohër, “Shën Jovan Kaneo”, “Kalaja e Samoilit”, monumenti “Ilinden” në Krushevë, Hamami i Daut Pashës, Kulla e Sahatit në Bitpazar, Pamja e objektit të Bankës popullore.

Çdo simbol i parave së Maqedonisë, sipas Todoroskit, ka kuptimin e vet të veçantë dhe pasqyron historinë tonë, me të cilën mund të krenohemi. Motivi i prodhimit, siç thotë ai, është e kaluara jonë kulturore dhe historike.

Për përpunimin e kartëmonedhave janë nevojitur disa ditë, ndërsa rrethanë rënduese ishte se nuk kishte shumë përvojë në prodhimin e parave. Megjithatë, në fund, siç thotë Todoroski, i gjithë procesi përfundoi me sukses.

“Në fund, gjithçka u përfundua me sukses, brenda sferës së mundësive. Një gjë që dua të theksoj është përkrahja e madhe që kam pasur në atë kohë nga guvernatori i Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë, Borko Stanoeski dhe drejtori im i atëhershëm në shtypshkronjën, Sasho Zafiroski”, thotë Todoroski.

Për dallim nga bonot, për përpunimin e denarëve të Maqedonisë së Veriut ka pasur shumë më tepër kohë, ndërsa është përdorur edhe teknologjia kompjuterike.

Pas bonove me vlerë, gjatë gjatë përpunimit  të denarëve kemi përdorur edhe ndihmë nga teknologjia kompjuterike për mikrotekste dhe rrjete të cilat ndërkaq janë punuar me dorë me kombinime të ndryshme. Megjithatë, edhe ajo ndihmë ishte e mirëseardhur për dallim nga përpunimi i pullave për bonot, shpjegon Todoroski.

Për përpunimin e denarëve, siç thekson Todoroski, nevojiten disa elemente – vizatim, gravurë, mikrotekste, rrjete, elemente mbrojtëse që nuk shihen me sy të lirë, përgatitje për printim…

Për Todorovskin, frymëzimi më i madh gjatë përpunimit të parave ka qenë besimi që e ka pasur nga shteti.

“A ka frymëzim më të madh kur do të merrni besim dhe mundësi nga shteti të jeni pjesë e ekipit që punon për diçka që për herë të parë po ndodhte në ekzistencën tonë? Shtet i pavarur, me paratë e veta – është vështirë të përshkruhet, mund vetëm të përjetohet. Në fund, patëm sukses. Ndoshta do të mundeshim edhe më mirë, nëse do të kishim mjete më moderne për punë. Por për fat të keq, nuk kishim, kështu që me atë që kishim punuam siç dinim dhe mundeshim. U jam mirënjohës të gjithëve që më mundësuam të jem pjesë e vogël e atyre ngjarjeve historike”, shpjegon Todoroski për MIA-n.

Ekspozitë me rastin e 30 vjetorit të pavarësisë monetare të Maqedonisë së Veriut

Historia e denarit si mjet kombëtar i pagesës mund të shihet në Muzeun e Bankës Popullore, ku është hapur ekspozita “V/vlerat dhe vlerat”, me rastin e 30 vjetorit të pavarësisë monetare. Ekspozita u hap zyrtarisht më 8 korrik dhe është në dispozicion për vizitorët për gjashtë muajt e ardhshëm.

Ekspozita mbështetet nga shtatë muzetë e Maqedonisë së Veriut,  të cilat duke siguruar qasje deri në artefaktet, mundësuan që ato të paraqiten para publikut të gjerë si shenja të parave të Maqedonisë së Veriut.

Muzeu i Bankës Popullore ndodhet në objektin e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe është i hapur për publikun çdo ditë pune nga ora 9 deri në 15:00. Lejohen edhe vizitat në grup, me paralajmrim paraprak, ndërsa hyrja është falas.