Përmbytje të reja dhe 50 viktima në Pakistanin jugor

Më shumë se 50 persona kanë vdekur nga përmbytjet e reja që kanë goditur Pakistanin jugor, duke e çuar numrin e viktimave nga përmbytjet e fundit në vend në 1265, kumtuan sot autoritetet lokale, transmeton DPA.

Dhjetra njerëz kanë vdekur në provincën Sind, në jug të vendit, pasi përmbytjet goditën zonën për shkak të shirave të dendur, tha dje Agjencia Kombëtare e Fatkeqësive.

Rajoni Sind ka qenë më i prekuri nga përmbytjet që janë shkaktuar nga shirat e dendur të musonit që nga mesi i qershorit. Disa qytete në provincë po përballen tani me rreziqe të reja për shkak të përmbytjeve që po kërcënojnë sërish brigjet e lumit Ind.

Ind është lumi më i gjatë në Pakistan, që rrjedh nga Himalajet në Detin Arabik në jug. Tashmë është derdhur këtë sezon, pas reshjeve të dendura që goditën zonat malore javën e kaluar.

Shërbimet vendore të shpëtimit thanë se në mesin e të vdekurve në përmbytjen e fundit janë të paktën 15 fëmijë, dhe se deri më tani në këtë sezon të përmbytjeve kanë vdekur gjithsej 441 fëmijë.

Ushtria, ekipet e shpëtimit dhe vullnetarët janë ende duke evakuuar njerëzit nga fshatrat e largëta që u ndërprenë nga rritja e nivelit të ujit, tha zëdhënësi i qeverisë provinciale Murtaza Vahab, transmetoi DPA.

Disa vende, kompani globale dhe organizata bamirëse janë zotuar të dhurojnë miliona dollarë ndihmë për të ndihmuar Pakistanin të kapërcejë këtë fatkeqësi natyrore, një nga më të mëdhatë që ka goditur vendin.