Përgatitjet për fillimin e procesit të pastrimit të lindanit nga deponia e vogël në OHIS janë në fazën përfundimtare

Shkup, 16 mars – Sot mund të shikojmë se kanë përfunduar të gjitha aktivitetet përgatitore për këtë proces kompleks. Terreni është pastruar, janë siguruar dhe instaluar pajisjet dhe mekanizimi i nevojshëm përreth landfillit të vogël dhe është vendosur një mbulesë mbrojtëse. Qëllimi kryesor i këtyre preparateve është siguria maksimale në largimin e kimikateve të rrezikshme të deponuara me dekada në një deponi të vogël në ish-kompleksin industrial OHIS, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski gjatë vizitës së sotme në ish fabrikën kimike OHIS.

Ai gjatë inspektimit të sotëm të përgatitjeve për pastrimin e linadës nga deponia e vogël në OHIS, tha se janë të bindur se vendosmëria e tyre për largimin e mbetjeve historikisht të rrezikshme nga vendi ynë është një punë reale dhe e vështirë.

Ai shtoi se gjatë periudhës së kaluar janë hequr dhe asgjësuar në mënyrë të sigurt sasi të mëdha të kimikateve jashtëzakonisht të rrezikshme, të cilat janë ruajtur në OHIS për dekada të tëra.

“Qeveria siguroi fonde dhe i kushtoi shumë energji dhe vëmendje zgjidhjes së këtij problemi që përbënte një kërcënim mjedisor. Në këtë drejtim, së bashku me Ministrinë e Mjedisit të Jetesës, po zbatojmë projektin e heqjes së barrierave teknike dhe ekonomike për fillimin e rehabilitimit të vendeve të kontaminuara me lindan në OHIS. Kjo nënkupton zgjidhjen e problemit të kahershëm me mbetjet teknike të lindanit dhe izomerëve të tij të depozituara në impiantin OHIS. Me këtë projekt, Republika e Maqedonisë së Veriut ka bërë hapa të mëdhenj në përmbushjen e obligimeve ndaj Konferencës së Stokholmit, në të cilën ne si shtet jemi anëtar i plotë që nga miratimi i saj në vitin 2001”, tha kryeministri.

Kryeministri theksoi se për realizimin e këtij problem të nxehtë kanë vendosur bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar në fushën e menaxhimit të ndotësve organikë të padegradueshëm.

“Realizimi i një projekti kaq të madh kërkon angazhim dhe përkushtim të vazhdueshëm, burime të mëdha financiare dhe mobilizim të të gjitha resurseve vendore dhe veçanërisht ndërkombëtare për të cilat shpreh mirënjohje të madhe për partnerët tanë të huaj. Për pastrimin e landfillit të vogël është krijuar bashkëpunimi me Qeverinë e Norvegjisë dhe dy agjenci të OKB-së, Organizatën për Zhvillim Industrial UNIDO dhe Zyrën e Shërbimeve të Projektit UNOPS. Përfitoj nga rasti për të nënvizuar kontributin e Delegacionit të BE-së, i cili ndau 2.5 milionë euro nga Programi IPA 3, veçanërisht për përfundimin e procesit të rehabilitimit të landfillit të vogël. Vlera e parashikuar e pastrimit dhe asgjësimit të lindanit dhe izomerëve të tjerë nga deponia e vogël në OHIS është përafërsisht nëntë milionë euro”, tha Kovaçevski.

Kryeministri theksoi se ata vazhdojnë me vendosmërinë e tyre së bashku me MMJPH për zgjidhjen dhe eliminimin e problemeve të trashëguara mjedisore. Vazhdojmë, siç tha ai, me pastrimin e deponisë së madhe në OHIS, si dhe gjetjen e zgjidhjes për impiantin e elektrolizës të kontaminuar me merkur, edhe këtu në fabrikë.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini u shpreh i kënaqur që sot është inspektuar në deponinë e vogël në OHIS, ku shihet se ka përfunduar puna përgatitore për fillimin e largimit të materialit shumë të kontaminuar si lindani dhe substancave të tjera të rrezikshme.

“Është fakt se duhej më tepër kohë nga ajo që ishte planifikuar për vendosjen e çadrës dhe aktivitetet e mëparshme shtesë për fillimin e gërmimit, gjë që besoj se vetë kontraktori mund ta shpjegojë më mirë sesa puna e tyre në terren. Por e rëndësishme është që të gjitha punët shtesë dhe vonesat kanë qenë për të shmangur çdo shpërndarje të materialit të rrezikshëm që do të gërmohet nga landfilli i vogël për të mbrojtur mjedisin dhe popullsinë që graviton në zonën më të gjerë të mjedisit. Në këtë fazë, prioritet ishte siguria, duke qenë se bëhet fjalë për mbetje historike që kërkon një qasje më të kujdesshme dhe përshtatje me situatën në terren që nuk mund të parashikohej. Tani vijon faza e radhës e cila do të fillojë me rehabilitimin e një prej vatrave më të mëdha në territorin e vendit tonë, e cila fatkeqësisht ndodhet në këtë vend prej dekadash”, tha Nuredini.

Ministri falënderoi BE-në, Mbretërinë e Norvegjisë, UNIDO-n dhe UNOPS-in, si dhe Qeverinë që mori pjesë me mjetet e veta për, siç tha ai, këtë bashkëpunim duke arritur kështu të fillojmë rrugën për eliminimin e plotë të mbetjeve historike.

“Ne do të vazhdojmë me largimin e mbeturinave historikisht të rrezikshme, vazhdojmë të punojmë për mobilizimin e mjeteve shtesë për të mundësuar pastrimin e plotë të deponisë së madhe këtu në OHIS”, tha Nuredini.

Ministri kujtoi se këtij procesi rehabilitimi i ka paraprirë një projekt kompleks, por njëkohësisht i suksesshëm për heqjen e sasisë së mbetur të kimikateve të rrezikshme që ishin grumbulluar dhe ruajtur për dekada në kuadër të OHIS. Për këtë projekt Qeveria ka ndarë fonde të konsiderueshme.

“Por gjithashtu, si Ministri, para dy vitesh propozuam dhe dorëzuam në Kuvend një ndryshim në Ligjin për Mjedisin, me qëllim identifikimin – miratimin e një metodologjie për zbatimin dhe krijimin e mekanizmave financiarë për përmirësimin e të gjitha pikave të tjera historike në vend. Ky ligj më në fund është në lexim të dytë në Kuvend dhe shpresoj se do të ketë mbështetjen e deputetëve që të kujdesemi edhe për vendndodhje të tjera të tilla. I uroj sukses kontraktorit dhe përmbushje të afateve të përcaktuara ku prioritet kryesor do të jetë siguria dhe mbrojtja e mjedisit jetësor”, theksoi Nuredini.

Shefi i Delegacionit të BE-së në vend, Dejvid Gir është shprehur i kënaqur që kanë pasur mundësinë të kontribuojnë me 2.5 milionë euro.

“Pra, ky është vetëm një shembull i shumë projekteve të mbështetura nga BE-ja që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit nga degradimi. Këtu kemi të bëjmë me mbetje të rrezikshme që shkaktojnë ndotjen e tokës. Ne ofrojmë mbështetje edhe në pjesë të tjera të vendit, kryesisht në drejtim të sistemeve të menaxhimit të mbetjeve të ngurta, impianteve të trajtimit të ujërave të zeza dhe për të adresuar problemet e ndotjes së ajrit. Gjithashtu ne mbështesim të gjitha përpjekjet për të gjetur mënyra të reja për të përdorur energjinë e rinovueshme,” tha Gir.

Ai shtoi se të gjitha vendet e BE-së po përballen edhe me presione të larta të inflacionit të shkaktuara nga shpërthimi i pandemisë të KOVID-19, por, siç tha Gir, ky presion është përkeqësuar nga kriza në Ukrainë.

“Megjithatë, mbetet jashtëzakonisht e rëndësishme vendosmëria jonë për të vazhduar të përballemi me problemin më të madh sot që janë ndryshimet klimatike, degradimi i mjedisit dhe kolapsi i biodiversitetit. Pra, përgjigja e BE-së ndaj të gjitha këtyre sfidave është përcaktuar në Iniciativën e Gjelbër të BE-së dhe jam vërtet i nderuar që jam këtu për të qenë pjesë e një përpjekjeje praktike të vendit për të zgjidhur të gjitha problemet që lidhen me shkatërrimin e mjedisit”, konkludoi ai.

Në pyetjen e gazetarëve se kur do të pastrohet lindani dhe cilat janë afatet për heqjen e tij, kryeministri Kovaçevski është përgjigjur se momentalisht janë vendosur pajisjet me të cilat do të bëhet gërmimi i tokës ku ndodhet lindani.

“Është bërë me pajisje nga jashtë, nga kontraktori. Ai do të transportohet me shina speciale në kontejnerë të posaçëm dhe më pas do të çohet jashtë vendit në Francë dhe Holandë ku ka impiante industriale që përpunojnë edhe lindanin. Përgatitjet tashmë kanë përfunduar. Unë mendoj se me gërmimet do të fillohet javën e ardhshme,” tha Kovaçevski.

Ai shtoi se sipas projektit që kanë, gërmimi do të zgjasë dhe do të punohet në pesë lote për nxjerrjen e dheut që do të transportohet jashtë vendit dhe pasi të ketë përfunduar kjo, siç tha ai, MMJPH tashmë është duke punuar për ngritjen e një projekti dhe financimi i tij për landfillin e madh, sepse landfilli i madh është 10 herë më i madh se ai që tani po fillon pastrimin dhe më pas do të punohet një projekt i ri, ai është pastrimi i impiantit të elektrolizës që është plot me merkur, që është edhe më e rrezikshme.

“Megjithatë, me një plan dhe përkushtim të qartë dhe nëse puna bëhet me efikasitet si deri më tani, siç e shikoni gjithçka është vendosur, mendoj se në periudhën e ardhshme kjo pjesë e rrezikshme për Shkupin dhe vendin më në fund do të pastrohet sepse kjo deponi ndodhet këtu që në vitin 1975”, tha Kovaçevski.

Për sa i përket kostos së pastrimit të plotë të OHIS-it, ai deklaroi se bëhet fjalë për të bërë një projekt si për deponinë e madhe ashtu edhe për impiantin e zhivës, madje, siç shtoi ai, ka një deponi që ndodhet jashtë këtij rrethi të fabrikës, i cili gjithashtu duhet të dekontaminojë dhe rivitalizojë atë tokë.

“Gjithmonë mund të aksesoni MMJPH ku jo vetëm mund të merrni informacion, por me njohuritë tuaja mund të kontribuoni edhe në hartimin e projekteve. Nëse kjo mund të bëhet si projekt nuk varet vetëm nga MMJPH, varet edhe nga partnerët e huaj, së pari në aspektin e financimit, së dyti në drejtim të menaxhimit të projektit dhe së treti, në lidhje me sigurimin e partnerëve që do ta marrin atë dhѐ të kontaminuar që ta përpunojnë, të heqin lindanin dhe më pas ky dhѐ, me një proces tjetër të kthehet në gjendje që mund të përdoret diku tjetër, natyrisht jashtë vendit”, tha kryeministri.