Përfitimet financiare të gjeneralit rus nga minierat siriane

Gjenerali rus që mbikëqyrë luftën kundër Ukrainës ka përfituar nga marrëveshjet luksoze që përfshijnë minierat siriane të fosfatit dhe pagesat e dyshimta nga një biznesmen i lidhur me Kremlinin, thuhet në një hulumtim të ri.

Këto përfundime, të nxjerra nga hetuesit e organizatës të aktivistit të burgosur opozitar, Aleksei Navalny, shfaqin një pamje më të qartë të gjeneralit Sergei Surovikin, që ka komanduar operacionet e Rusisë në Siri në fund të vitit 2010 dhe i cili ka marrë nofkën “Gjenerali Armagedon” për shkak të reputacionit për brutalitetin në Siri.

Presidenti Vladimir Putin më 8 tetor e emëroi Surovikin komandant të përgjithshëm të forcave ruse në Ukrainë, që paraqet një përpjekje nga Kremlini dhe Ministria e Mbrojtjes për të vendosur në binarë përpjekjet e luftës, pas një sërë ngecjesh.