Për mbikqyrje të korridorëve 8 dhe 10 u paraqitën 3 kompani me renome
Shkup, 25 tetor – Janë dorëzuar tre oferta në tenderin për përzgjedhjen e mbikëqyrjes së ndërtimit të autostradave Tetovë-Gostivar, Gostivar-Kërçovë dhe Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë në Korridorin 8, si dhe Manastir. – Prilep në Korridorin 10 D, ndërtimin e së cilës duhet ta kryejë konsorciumi amerikano-turk “Behtel dhe Enka”.
Ofertat të cilat u hapën sot në Ndërmarrjen publike për rrugë shtetërore janë nga kompania “INGEROP CONSEIL ET INGENIERIE” e cila konkuron me 1.106.040.600 denarë, shoqata “IRD ENGINEERING” me ofertë prej 1.374.304.070 denarëve si dhe “HIL NTERNACIONAL”, me ofertë prej 1.533.721.722 denarëve.
Pas hapjes së ofertave, pason një procedurë për vlerësimin e tyre dhe pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe plotësimit të ofertave brenda 40 ditëve do të bëhet përzgjedhja e cilësisë më të mirë të ofruar dhe çmimit të ofruar.
Tenderi i parë për përzgjedhjen e mbikëqyrësit për këtë projekt dështoi pasi kompania e përzgjedhur nuk dha garanci bankare.
Për ndërtimin e autostradave të reja, Qeveria vitin e kaluar nënshkroi memorandum me “Behtel dhe Enka”, pas së cilës Kuvendi e miratoi Ligjin për përcaktimin e interesit publik dhe emërimin e partnerit strategjik për projektin.
Makineritë e ndërtimit dhe punëtorët e konsorciumit Behtel dhe Enka do të punojnë në katër seksionet e Korridoreve 8 dhe 10, ndërsa pritet të fillojnë vitin e ardhshëm. Ministri Boçvarski paraprakisht deklaroi se seksioni i parë dhe më i lehtë nga aspekti i shpronësimit të tokës është Gostivar-Kërçovë, ndërsa më së shumti pritet të zgjasë procedura për pjesën Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë, për të cilën shteti do të duhet të marrë edhe opinion nga UNESKO, sepse rruga kalon pranë Liqenit të Ohrit.

