Pensionohet Goran Pandev, velikani i futbollit të Maqedonisë

Shkup, 22 shtator – Futbollisti më i mirë maqedonas, Goran Pandev, edhe zyrtarisht ka njoftuar se po i jep fund karierës së tij të pasur futbollistike, informon Zhurnal.

Ai në një intervistë për “Gazetta dello Sport” njoftoi se këtë gjë e kishte paralajmëruar që pas përfundimit të EURO 2020 ku me Maqedoninë për herë të parë mori pjesë në një garë të tillë.

“Pas 20 viteve… Djali im tani ka 13 vjet dhe në gjithë jetën atë e shihja vetëm gjatë pauzave mes dy sezoneve. Tani është koha ku duhet të kënaqem me familjen. Për herë të parë nuk kam menduar për futboll dhe kur ndodhë kjo, më pak mendoni për futboll dhe më pak stërviteni”, theksoi Pandev.

Pandev në karierën e tij të pasur ka luajtur mbi 500 ndeshje në elitën e futbollit italian dhe ka shënuar mbi 100 gola. Për Maqedoninë ka realizuar 122 ndeshje dhe ka shënuar 38 gola./Zhurnal.mk