Pendarovski prezantoi Kornizën për zhvillim MKD 2030: T’ua bëjmë të rinjve jetën më të mirë
Shkup, 9 qershor – Rritje e përshpejtuar ekonomike, mbrojtja e mjedisit në nivel të mesatares evropiane dhe politika e ridefinuar energjetike, përshpejtimi i transformimit digjital dhe promovimi i ekonomisë dhe arsimit digjital, rinia dhe zhvillimi gjithëpërfshirës janë katër prioritetet e Kornizës për Zhvillim MKD 2030, të cilën sot e promovoi presidenti Stevo Pendarovski.
“Për të pasur një shans real për një të ardhme më të mirë, është thelbësore që faktorët kyç në infrastrukturën shtetërore dhe sociale të qëndrojnë pas një vizioni të vetëm për zhvillim afatgjatë. Prandaj e kam iniciuar procesin për përgatitjen e Kornizës për Zhvillim MKD 2030 që edhe pse e paralajmëruar në gjysmën e dytë të vitit 2019, për shkak të pandemisë, kam kënaqësinë t’ju prezantoj sot, tha Pendarovski.
Sipas tij, diagnoza e problemeve me të cilat ballafaqohet Maqedonia e Veriut me vite është shqetësuese, kemi rritje modeste ekonomike, nivel të ulët të konkurrencës dhe përfshirje të pamjaftueshme në zinxhirët e prokurimit ndërkombëtar.
“Korrupsioni, klientelizmi dhe ekonomia në hije na kanë ndjekur praktikisht që nga pavarësia. Zhvillimi aktual është i paqëndrueshëm ekologjikisht, nga ana sociale jogjithëpërfshirës, rajonalisht i pabalancuar, i cenueshëm nga energjia. Integrimi i ngecur evropian ka sjellë kriza të shpeshta politike, polarizimin e shoqërisë dhe partizim të institucioneve. Investimi modest i qeverisë në investigime dhe në zhvillim e ka ulur produktivitetin”,theksoi ai.
E gjithë kjo, vazhdoi Pendarovski, ndikon drejtpërdrejt në rritjen e BPV-së, pagat dhe standardin jetësor të qytetarëve, veçanërisht të të rinjve.
“Nga të dhënat e shumta negative, do të veçoja vetëm një: në vitin 2020, rreth 21.8 për qind e popullsisë jetonte nën kufirin e varfërisë, që është dy herë më e lartë se mesatarja e BE-së. Për shkak të efekteve të kombinuara të krizës shëndetësore, energjetike dhe ekonomike, kjo shifër sot është më e lartë. Të rinjtë emigrojnë masivisht, qytetarët janë bërë pasivë dhe apolitikë dhe mosbesimi në institucione është kronik. Shoqëria jonë ka një ndarje të thellë dhe perceptimi se është e pamundur të përparojmë në bazë të cilësive dhe aftësive tona është i kudogjendur,” theksoi presidenti.
Të ballafaquar me të gjitha këto probleme serioze, shtoi Pendarovski, i shtruam vetes pyetjen e mëposhtme: si të inkurajohet zhvillimi i përgjithshëm ekonomik dhe social deri në fund të kësaj dekade, të rritet besimi në institucionet dhe të zvogëlohet emigrimi i të rinjve dhe si të rikthehet shpresa tek njerëzit?
Ai theksoi se realizimi i kësaj detyre madhështore varet nëse do të përmbushim një nga qëllimet kryesore të përcaktuara në preambulën e Kushtetutës, përkatësisht, se shteti është i
konstituuar për të “siguruar drejtësi sociale, prosperitet ekonomik dhe përparim të jetës personale dhe të përbashkët”.
“MKD 2030 nuk është dokument kabineti, por është dokument në terren. Ekspertët nuk e kanë shkruar të izoluar në zyrat e tyre, por e kanë krijuar nëpërmjet konsultimeve të gjera në një proces gjithëpërfshirës dhe transparent. Disa nga mendjet tona më të mira na kanë vënë në dispozicion ekspertizën dhe përvojën e tyre. Në faza të ndryshme të hartimit të këtij dokumenti strategjik u përfshinë mbi 60 organizata dhe individë nga organizata të shoqërisë civile, oda ekonomike, akademike, media dhe organizata rinore”, tha ai.
Ai shpjegoi në detaje prioritetet e Kornizës 2030, duke theksuar se janë marrë parasysh skenarët më negativë dhe parashikimet më pesimiste dhe për këtë, tha ai, pres që MKD 2030 t’i rezistojë testit të kohës.
“Nga ky procesi, që zgjati me muaj, u kristalizuan katër prioritete, me 166 rekomandime specifike, të grupuara në 24 fusha. Prioriteti i parë është rritja e përshpejtuar ekonomike. Kjo nënkupton rritje të produktivitetit, rritje të konkurrencës së ekonomisë, investime masive në inovacion dhe zhvillim teknologjik, investime të reja vendore dhe të huaja, ulje të ekonomisë gri dhe krijimin e një tregu të punës fleksibël dhe dinamik”, tha Pendarovski.
Prioriteti i dytë, tha presidenti, është mbrojtja e mjedisit në nivelin e mesatares evropiane dhe një politikë energjetike e ripërcaktuar, duke theksuar se cilësia e jetës dhe shëndetit varet drejtpërdrejt nga cilësia e mjedisit.
“Në këtë kontekst flasim për ajër cilësor, zhvillimin e një sistemi efektiv të menaxhimit të mbeturinave dhe menaxhimin e integruar të ujit, mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetin. Politika e ridefinuar energjetike duhet të ketë për qëllim plotësimin e nevojave afatgjata, para së gjithash nga burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe në të njëjtën kohë të jetë rezistente ndaj goditjeve të jashtme energjetike”, tha Pendarovski.
Prioriteti i tretë, theksoi presidenti, është digjitalizimi, i cili është njëkohësisht synim në vetvete, por edhe mjet për të arritur prioritete të tjera zhvillimore. Prandaj, tha Pendarovski, është e nevojshme përshpejtimi i transformimit digjital dhe promovimi i ekonomisë dhe arsimit digjital, digjitalizimi i plotë i shërbimeve publike, rritja e shkallës së edukimit digjital dhe nxitja e zhvillimit shumë më të fuqishëm të sektorit maqedonas të IT-së.
“Prioriteti i katërt është arsimi, rinia dhe zhvillimi gjithëpërfshirës, tre fusha që janë të lidhura organikisht. Për të dalë nga spiralja në rënie e varfërisë, përjashtimit social dhe emigrimit masiv, ne kemi nevojë për arsim të përshtatur me nevojat e tregut të punës. Prioriteti është të punohet për të reduktuar varfërinë dhe përjashtimin social, për të zhvilluar politika kulturore bashkëkohore, për të promovuar respektin për të drejtat e njeriut dhe për të investuar në edukimin mediatik të nevojshëm për të dalluar të vërtetën nga e pavërteta,” tha ai.
Këto katër prioritete, tha Pendarovski, janë të ndërvarura dhe po aq të rëndësishme për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut dhe prandaj duhet të zbatohen në të njëjtën kohë, pa marrë parasysh renditjen e tyre.
Ai shpreson se MKD 2030, si kornizë që fokusohet në tablonë e madhe, duhet të inkorporohet në Strategjinë e detajuar zhvillimore nacionale 2022-2042 të përgatitur nga Qeveria dhe kështu, tha Pendarovski, MKD 2030 do të jetë garanci për vazhdimësinë e politikave sektoriale, pavarësisht nga ndryshimet e ardhshme të grupeve politike në pushtet.
“Kjo hartë do t’i ndihmojë politikëbërësit aktualë dhe të ardhshëm të mos devijojnë nga rruga e përcaktuar dhe të mos ngecin në ujërat autoritare dhe populiste që me siguri do të rrezikojnë zhvillimin afatgjatë të vendit, por edhe stabilitetin e tij. Si platformë jopartiake, MKD 2030 mund të shërbejë si bazë për tejkalimin e ndarjeve të thella përmes rinovimit simbolik të marrëveshjes shoqërore. Prioritetet e zhvillimit do të duhet të respektohen nga çdo qeveri e ardhshme dhe të zbatohen për të gjithë, në mënyrë të barabartë. Kështu, MKD 2030 mund të jenë pjesë produktive e procesit të pajtimit civil”, tha Pendarovski.
Ai gjithashtu pret që MKD 2030 të nxisë debatin për propozimet e ofruara dhe të na ndihmojë në diskursin publik, në vend të episodeve të parëndësishme politike ditore, të shpenzojmë energjinë tonë për të menduar dhe vepruar për realizimin e politikave afatgjata zhvillimore.
Korniza Zhvillimore MKD 2030, nënvizoi presidenti, mund të na ndihmojë ta bëjmë Maqedoninë e Veriut një vend më të mirë për të jetuar, në të cilin qytetarët e Maqedonisë do të kenë mundësi të arrijnë idealet e tyre jetësore.
“Pa moralizim të rremë dhe pathos, kjo është përgjegjësia historike që kemi të gjithë ne, veçanërisht titullarët e posteve publike në raport me fëmijët dhe nipërit tanë, por jo më pak ndaj brezave të ardhshëm të cilëve duhet t’ua lëmë shtetin në gjendje shumë më të mirë se në të cilën është sot”, konkludoi Pendarovski duke promovuar Kornizën MKD 2030.
Ish-Ministri i Financave dhe analisti Xhevdet Hajredini tha se Korniza MKD 2030 do të jetë një orientim i dobishëm për të gjitha organet kompetente, Qeverinë dhe subjektet e tjera politike në vend që të dëgjojnë nga presidenti se çfarë është gjëja më e rëndësishme që duhet bërë në vitet e ardhshme në Maqedoninë e Veriut, në fushën e ekonomisë.
“Më e rëndësishmja për mua është ta theksoj këtë, që deri më tani kemi humbur shumë, por tashmë situata në Maqedoni është e tillë, ne mund të kishim bërë më shumë në atë kuptim dhe këto arsye objektive që tani na kanë ardhur dhe e kanë rritur krizën mund të ishin shumë më të vogla në këtë aspekt ndaj këtyre dy shtyllave të jetës ekonomike dhe jetës së njerëzve – energjisë dhe ushqimit, ku është e mundur që shteti të jetë më i pavarur nga ndërhyrjet e huaja”, tha Hajredini.
Kryetarja e MASIT, Aneta Pesheva tha se si Odë MASIT kanë dhënë një kontribut me masa konkrete që duhet të bëhen në vend në drejtim të digjitalizimit dhe transformimit digjital.
“Sot pa një proces të tillë nuk do të ishte e mundur të ndiqni trendet botërore. Një nga gjërat themelore që duhet të mendojmë dhe të bëjmë është t’i fusim të rinjtë në punë në një vend ku nevojitet digjitalizimi. Ne kemi një staf të ri shumë të mirë që aktualisht po punon më shumë në një sistem që është për vendet e huaja në vend që të përdorin ata të rinj në vend. Duhet ndërmarrë një nismë e madhe nga të gjithë ne që t’i mbajmë ata të rinj dhe sigurisht t’i përdorim për të mirën e shtetit. të bëjmë një transformim digjital dhe digjitalizim vërtet të mirë të të gjitha proceseve që tani na mungojnë shumë, tha Pesheva.
Në promovimin e Kornizës MKD 2030 morën pjesë ministra, ambasadorë, profesorë, akademikë dhe përfaqësues të sektorit joqeveritar.

