Pendarovski – Pahor: Suksesi i politikës së zgjerimit do të varet nga rasti i Maqedonisë së Veriut

Shkup, 19 shkurt – Mundësitë për tejkalimin e sfidave për fillimin e negociatave për anëtarësim me BE-në ishin në fokus të takimit të presidentit Stevo Pendarovski me homologun e tij slloven Borut Pahor.

Në një takim të mbajtur si pjesë e pjesëmarrjes së Pendarovskit në Konferencën e 58-të të Sigurisë në Munih, të dy presidentët theksuan se suksesi i politikës së zgjerimit do të varet nga rasti i Maqedonisë së Veriut.

Presidenti Pendarovski falënderoi për mbështetjen parimore dhe të vazhdueshme për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht me zë të lartë gjatë presidencës së fundit sllovene të Këshillit të Unionit.

Ai informoi për zhvillimet e fundit në atë kontekst dhe dinamikën e paraparë mes dy qeverive të reja, duke theksuar se Maqedonia e Veriut do të punojë me përkushtim për të gjetur një zgjidhje evropiane, dinjitoze për sfidat bilaterale me Bullgarinë.

Sipas presidentit Pendarovski, hapja e negociatave për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian do të kontribuojë pozitivisht në prosperitetin dhe stabilitetin e të gjithë rajonit dhe do t’i japë shtysë shtesë procesit të përgjithshëm të reformave në vend.

Në takim u diskutua edhe për situatën e sigurisë në rajon dhe në hapësirën euroatlantike.

U rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, të bazuara në miqësinë tradicionale, partneritetin e fortë strategjik dhe bashkëpunimin dhe mbështetjen konstruktive afatgjatë.