Pendarovski-Moran: Maqedonia e Veriut është e përkushtuar në krijimin e politikave për mjedis të qëndrueshëm

Shkup, 22 mars – Presidenti Stevo Pendarovski sot ka pritur në takim Dejvid Moran, ambasador rajonal i KOP26 në Evropë, Azinë Qendrore, Turqi dhe Iran.

Në takim, siç kumtoi kabineti i Pendarovskit, është diskutuar për strategjinë afatgjatë të Maqedonisë së Veriut për veprim klimatik, me qëllim parandalimin e rreziqeve ekzistuese dhe krijimin e zgjidhjeve për zbutjen e pasojave negative të ndryshimeve klimatike, si dhe masat për t’u integruar në politikat kombëtare.

Pendarovski theksoi se vendi po përgatit Planin e katërt kombëtar për ndryshime klimatike, ripohoi gatishmërinë dhe përkushtimin për përmbushjen e qëllimeve të Marrëveshjes së Parisit dhe angazhimet e marra në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për ndryshime klimatike (KOP26), që u mbajt në Glazgov.

Në takim u theksua se është e nevojshme të vazhdohet me marrjen e masave në luftën kundër ndryshimeve klimatike, si komponentë e rëndësishme e Objektivave për zhvillim të qëndrueshëm të Maqedonisë së Veriut dhe në përputhje me Konventën Kornizë të KB-së për ndryshimet klimatike, nënshkrues i të cilës është vendi.

“Ne mbetemi të përkushtuar në krijimin e politikave për mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt, ngritjen e vetëdijes publike dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, tha Pendarovski në takimin me ambasadorin Moran, duke theksuar se politikat mjedisore janë në fokus të zhvillimit “MKD2030. ” e cila është përgatitur me iniciativën e Presidentit.

Përmes një qasjeje të integruar dhe të harmonizuar të institucioneve kompetente, Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me Kombet e Bashkuara, në mënyrë që të adresojë në mënyrë efektive ndryshimet klimatike dhe politikat proaktive të veprimit klimatik, qëndron në kumtesën nga kabineti i presidenit Pendarovski.