Pendarovski ende nuk ka marrë propozime nga partnerët qeveritarë për vendet e ambasadorëve në Bruksel dhe Uashington
Shkup, 2 mars – Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski ende nuk ka pranuar propozim nga partnerët e koalicionit qeveritar për plotësimin e vendeve të ambasadorëve në Uashington dhe Bruksel.
Pendarovski shpreson se bisedimet ndërmjet partnerëve qeveritarë janë në fazën përfundimtare.
“Sipas informacioneve të mia, tashmë kanë filluar bisedimet mes partnerëve të koalicionit qeveritar për plotësimin e vendeve të ambasadorëve në Uashington dhe Bruksel. Shpresoj se negociatat janë në fazën përfundimtare. Më pas ata duhet të bëjnë propozim dhe të shohin nëse unë jam dakord. Por, deri më tani nuk kam marrë emër për Brukselin dhe Uashingtonin”, tha Pendarovski gjatë pjesëmarrjes së sontme në televizionin Sitel dhe shtoi se për Fërçkoskin nuk është konfirmuar se është refuzuar nga SHBA-ja për postin e ambasadorit në Uashington.
Kreu i shtetit informoi gjithashtu se Nenad Kolevit i është shtyrë largimi nga posti i ambasadorit në Moskë për shkak të krizës ruso-ukrainase, ndonëse duhej të merrte detyrën më 1 mars.
“Pres së shpejti edhe Komisioni në Kuvend të përfundojë punën e tij dhe nëse mundemi për një muaj – një muaj e gjysmë nga tani ta dërgojmë Agnesa Rusin ambasadore në Sofje. Ambasadori ynë aktual në BE, Rusi, diplomat profesionist i MPJ-së, duhet të jetë ambasadori ynë në Bullgari. Ky vend në Bruksel është duke u zbrazur dhe është shumë e rëndësishme të kemi një person atje, në BE”, theksoi presidenti Pendarovski.

