Pendarovski- Al Atija: Maqedonia e Veriut dhe Katari do ta intensifikojnë bashkëpunimin në mbrojtje

Shkup, 17 mars – Presidenti Stevo Pendarovski sot ka pritur zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes së Katarit, Kalid bin Mohamed Al Atija ku në takim është shprehur kënaqësi nga trendi pozitiv në zhvillimin e dialogut politik dhe marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve dhe intensifikimin e bashkëpunimit në mbrojtje me Katarin.

Siç ka njoftuar kabineti i shefit të shtetit, presidenti Pendarovski e ka përshëndetur politikën konstruktive të Katarit në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe rolin e tyre në avancimin e sigurisë globale dhe ka shprehur mbështetjen në aktivitetet që ndërmerr Katari në kuadër të Iniciativës së Stambollit për bashkëpunim. Pastaj theksohet se presidenti ka falënderuar për mbështetjen e ofruar të Katarit gjatë evakuimit të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nga Afganistani si dhe solidaritetin e demonstruar dhe ndihmën për përballje me pandeminë e Kovid-19.

Në kontekst të mbrojtjes janë prezantuar mundësitë për thellimin e bashkëpunimit përmes zbatimit të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake dhe investimeve në projekte infrastrukturore ku është shprehur gatishmëria për avancimin e bashkëpunimit në luftën kundër kërcënimeve globale, terrorizmit, mbrojtjes kibernetike, përballje me sulme hibride dhe lajme të rrejshme. Bashkëbiseduesit kanë theksuar se në interes kyç për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale, përdorimin e potencialeve ekonomike në tërësi dhe realizimin e projekteve konkrete është avancimi i mëtejmë i kornizës juridike mes dy vendeve”, qëndron në kumtesë.

Ndryshe, në takim janë shkëmbyer mendime për zhvillimin e ngjarjeve në dy rajonet, ndodhitë aktuale në Ukrainë dhe gjendjen e sigurisë në kontinentin evropian, theksohet mes tjerash nga kabineti i Pendarovskit.