Pelosi në Tajvan, SHBA-ja vendos katër anije luftarake në lindje të ishullit
Derisa kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi u nis për në Taipei [kryeqyteti i Tajvanit] të martën mes paralajmërimeve të intensifikuara nga Kina, katër anije luftarake amerikane, duke përfshirë një aeroplanmbajtëse, u pozicionuan në ujëra në lindje të ishullit.
Konfirmimi i dislokimeve vjen pasi shfaqen shenja të aktivitetit ushtarak në të dy anët e ngushticës së Tajvanit përpara vizitës së Pelosit.
Pelosi, kritike për një kohë të gjatë e Kinës, pritej të mbërrinte në Taipei më vonë të martën, thanë burimet, pasi Shtetet e Bashkuara thanë se nuk do të frikësoheshin nga ”kërcënimi i forcës ushtarake” kineze gjatë vizitës.
Përveç aeroplanëve kinezë që fluturonin afër vijës ndarëse të martën në mëngjes, disa anije luftarake kineze kishin mbetur pranë kësaj vije që nga e hëna, i tha Reuters një burim i informuar për këtë çështje.
Ministria e Mbrojtjes dhe e Punëve të Jashtme të Kinës nuk iu përgjigjën kërkesave për të komentuar mbi këto zhvillime.
Burimi tha se si anijet luftarake dhe avionët kinezë “shtrydhën” vijën ndarëse të martën në mëngjes, një lëvizje e pazakontë që burimi e përshkroi si “shumë provokuese”.
Burimi tha se avioni kinez kreu në mënyrë të përsëritur lëvizje taktike për të “prekur” shkurtimisht vijën ndarëse dhe duke u rrotulluar përsëri në anën tjetër të ngushticës të martën në mëngjes, ndërsa avionët tajvanez ishin në gatishmëri aty pranë.
Avionët e asnjërës palë normalisht nuk e kalojnë vijën ndarëse mes Tajvanit dhe Kinës.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha të martën se ata kanë një zotërim të plotë të aktiviteteve ushtarake pranë Tajvanit dhe do të dërgojnë forcat në mënyrë proporcionale me reagimin ndaj “kërcënimeve të armikut” ndërsa tensionet me Kinën rriten.
Ministria kishte “përforcuar” nivelin e saj të gatishmërisë luftarake nga e marta në mëngjes deri në mesditë të së enjtes, njoftoi Agjencia Qendrore e Lajmeve e ishullit, duke cituar burime të paidentifikuara.

