Pelosi mbajti fjalim para Parlamentit të Tajvanit

Kryetarja e Dhomës përfaqësuese amerikane, Nensi Pelosi sot në Parlamentin tajvanez deklaroi se ky shtet ishull është ‘një nga shoqëritë më të lira në botë’. Pelosi ka lavdëruar presidenten Cai-Ing-ven dhe ka bërë thirrje për përforcim të bashkimit ndërparlamentar.

Ajo aty arriti mbrëmë vonë paparalajmëruar, por e ndjekur me kujdes, duke thënë se kjo e tregon përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj ishullit vetëqeverisës, për të cilin Pekini pretendon se është pjesë e Kinës. Sipas Pelosit, tani më shumë se kurrë, solidariteti amerikan me Tajvanin është kyç.

Siç theksoi, vendosmëria amerikane për të ruajtur demokracinë në Tajvan dhe pjesën tjetër të botës, mbetet e fortë. Ajo theksoi se ligji i ri amerikan, që synon forcimin e industrisë së çipave në SHBA në konkurrencë me Kinën, “ofron mundësi më të mëdha për bashkëpunimin ekonomik SHBA-Tajvan.”

Pelosi nuk është kryetarja e parë e Dhomës së Lartë amerikane, e cila e viziton Tajvanin, Njut Gingriç e ka vizituar në vititn 1997. Vizita e Pelosit është në momentin kur raportet mes Pekinit dhe Uashingtonit janë përkeqësuar ndjeshëm, në periudhën kur Kina është një forcë më e fuqishme ekonomike, ushtarake dhe gjeopolitike, se sa ishte çerek shekulli më parë.

Kina e sheh Tajvanin si pjesë të territorit të saj dhe kurr nuk ka hequr dorë nga përdorimi i forcës, duke kërkuar ta vendos nën kontrollin e saj.

SHBA-ja e ka paraljamëruar Kinën të mos e shfrytëzojë këtë vizitë si një pretekst për aksion ushtarak kundër Tajvanit.

Vizitën amerikane në Tajvan në nivelin më të lartë në 25 vjet, Kina e dënoi si një kërcënim për paqen dhe stabilitetin në Tajvan. Vendi u përgjigj me një sërë stërvitjesh ushtarake, me thirrje për të biseduar me ambasadorin amerikan në Pekin dhe me një njoftim për të ndaluar importin e disa produkteve bujqësore nga Tajvani.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit sot njoftoi se stërvitjet e municioneve të drejtpërdrejta të Kinës rreth ishullit demokratik këtë javë, kanë treguar qëllimin e Pekinit për të shkatërruar paqen dhe stabilitetin rajonal.

Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Mbrojtjes, Tajvani ka rritur nivelin e gatishmërisë dhe do t’i përgjigjet në kohë dhe në mënyrën e duhur stërvitjeve.

Kritiku shumëvjeçar i Kinës, sidomos kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, Pelosi është planifikuar që sot gjithashtu të takohet me një ish-aktivist të Sheshit Tjenanmen, një librashitës nga Hong Kongu që u arrestua nga Kina dhe një aktivist tajvanez i liruar paradokohe.