Pele nuk i përgjigjet kimioterapisë, shtrihet në departamentin e kujdesit intensiv

Prej ditësh gjendja e legjendës së futbollit, brazilianit Pele është në një situatë kritike. Sipas raportimeve të mediave braziliane, ish-ylli i “Seleçaos”, nuk i është përgjigjur kimioterapisë, që iu nënshtrua, prej shtatorit të kaluar, pas atij operimi të vështirë, që kreu për kancerin e zorrëve.

Pele mendohet se ndodhet në departamentin e kujdesit intensiv, në spitalin “Albert Einstein”, ku ndodhet i shtruar prej pasdites së 30 nëntorit, detaj i cili nëse konfirmohet, tregon qartazi një përkeqësim drastik të situatës shëndetësore, të legjendës.

Spitali “Albert Einstein” në Sao Paulo lëshoi ditët e fundit një deklaratë ku thuhej se ish-futbollisti 82-vjeçar kishte “funksione të plota jetikë”, por donte të bënte komente mbi trajtimin, që nuk po jep më efekt. Në krahun tjetër, vetë vajza e Pele, Nely Nascimento, ditët e fundit ka treguar se situata është absolutisht nën kontroll, duke e konsideruar shtrimin në spital, si një hap të “planifikuar” mjekësor.