PDSH në linjë me NATO-n, mbështet sovranitetin territorial të Ukrainës dhe sanksionet ndaj Rusisë
Shkup, 24 shkurt – Partia Demokratike e Shqiptarëve dënon sulmet e fundit në territorin ukrainas, duke i përshkruar operacionet ushtarake të Rusisë si akte pushtuese në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Këto akte rrezikojnë njerëzimin, veçanërisht popujt e Evropës dhe janë sulme ndaj paqes, me pasoja jo vetëm tragjike për Ukrainën dhe Rusinë, por me një ndikim të paparashikueshëm për të ardhmen. Operacionet ushtarake pushtuese e të paprovokuara nga Ukraina janë të papranueshme dhe shembull i keq që lënë gjurmë të zeza në historinë e njerëzimit dhe rrezikon sovranitetin territorial të shtetit ukrainas.
Partia Demokratike Shqiptare qëndron në linjë me aleancën e NATO-s duke mbështetur sanksionet e shteteve anëtare të NATO-s të vendosura ndaj Federatës Ruse. PDSH thekson shqetësimin e saj në lidhje me sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e të gjithë civilëve të ndikuar nga kriza në Evropë.
Ne besojmë se ruajtja e paqes duhet të jetë normalja e padiskutueshme e shekullit XXI dhe palët duhet të angazhohen në zgjidhjen e konfliktit nëpërmjet rrugëve diplomatike.

