(Pa)siguria dhe (pa)drejtësia problemet kryesore për të jetuar në RMV!
Shkup, 13 mars – Siguria është nevojë elementare e bazike për të jetuar kudo në cilin do vend. Por, krahas mungesave tjera që janë të shumta në vendin tonë mungon edhe siguria. Mungesa e sigurisë prodhon ndjenjën e frikës dhe të qenurit i pasigurt në vendin tënd të lindjes, ndërkaq padrejtësia e vështirëson mbijetesën në këtë vend sepse duhet të përballesh me një sistem të kalbur të drejtësisë. Mund të vritesh në vend publik ngjashëm sikurse në vend të fshehtë nga ajo vrasje mbeten vetëm viktimat dhe mbetjet e plumbave, asgjë më shumë. Gjurmë të tjera nuk vërehen jo se vrasësit janë ekspert por se ekipet hetuese nuk e bëjnë punën e tyre si duhet. Kjo gjë tashmë po vërtetohet edhe njëherë. Autoritetet e sigurisë në Maqedoninë e Veriut thonë se me intensitet po hetohet rasti i vrasjes së dyfishtë në një lokal në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, megjithëse autorët e kësaj vrasjeje mbeten në arrati. Kjo ka bërë që qytetarët të ndihen të shqetësuar, veçanërisht prindërit, për sigurinë e të rinjve, të cilët e frekuentojnë këtë lokalitet gjatë orëve të mbrëmjes, shkruan Zhurnal.
Në RMV qytetarët ndjehen të pasigurt –
Siguria është njëri nga kushtet themelore që duhet plotësuar për të garantuar një mirëqenie të mirë sociale. E për këtë pjesë ekzistojnë edhe organet e sigurisë që me kompetencat e tyre duhet ta garantojnë një gjë të tillë. Por, në Maqedoninë e Veriut ngjanë sikurse këto organe janë në gjumë e pasive në funksionim. Pasi ndodhin raste të shumta por përfundojnë pa zbardhje dhe pa asnjë epilog dhe kjo krijon ndjenjën e pasigurisë dhe frikës te qytetarët.
Mbrëmjen e 6 marsit, Jeton Krivanjeva i njohur me nofkën “Zhilla” dhe Enes Isejni, i njohur me nofkën “Llaci”, mbetën të vrarë në hapësirat e një lokali në afërsi të Kalasë në Çarshinë e Shkupit, kur ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri pesë persona të maskuar, të cilët më pas janë larguar në drejtim të panjohur. Gjatë të shtënave është plagosur rëndë edhe A.T. që punonte si kamerier në këtë lokal.
Nga policia kanë bërë të ditur se është duke punuar për zbardhjen këtij rasti, ndërkohë që autorët e vrasjes së dyfishtë ende janë në arrati. Stefan Buxhakoski, ligjërues i Shkencave të Sigurisë, thotë për REL se moszbardhja e rasteve në tërësi bën që, për fat të keq, në liri të shëtisin persona me dosje të rëndë kriminale.
Ai, po ashtu, konsideron se mosefikasiteti i policisë jo vetëm që ngjall frikë te qytetarët, por njëkohësisht inkurajon kriminelët se mund të mbeten pa u ndëshkuar edhe pse kryejnë veprime të tilla.
“Kur kemi të bëjmë me preventivën te kriminaliteti i organizuar, çështje thelbësore mbetet efikasiteti i shërbimeve të sigurisë në raport me zbulimin e rasteve kriminogjene. Kjo do të thotë se aktivitetet kriminale duhet të shuhen me kohë dhe si të tilla të procedohen tek organet e drejtësisë”, thekson Buxhakoski.
Nga dikasteri i Policisë dhe Prokuroria deri tash nuk kanë dhënë detaje rreth pistave të hetimit e as për motivet e vrasjes së dyfishtë. “Të gjitha provat materiale të siguruara në vendin e ngjarjes do t’i nënshtrohen ekspertizës. Janë siguruar incizimet nga kamerat e sigurisë në objektin ku kanë ndodhur vrasjet, objektet përreth përfshirë edhe incizime nga sistemi ‘Qyteti i sigurt’.
Prokurori i rastit ka urdhëruar zhvillimin e bisedave informative me personin e plagosur dhe personat e tjerë, të cilët ishin të pranishëm në lokal gjatë kohës kur kanë ndodhur vrasjet”, është ky njoftimi i vetëm që ka bërë Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut. E, në mungesë të informacioneve zyrtare, mediat në Maqedoninë e Veriut kanë theksuar se personat e vrarë ishin pjesë e nëntokës kriminele.
20 vjet nga vrasja e të riut Burhan Jonuzi-Buli në Shkup, spekulime ka por vrasësit asnjëherë nuk u zbuluan –
Se në Maqedoninë e Veriut ndodhin vrasjet dhe nuk zbulohen vrasësit dëshmon edhe rasti i para njëzet viteve që ende nuk dihen dhe nuk janë hetuar vrasësit. Kjo gjë vetëm se është përsëritur edhe në rastet tjera. Sepse, kriminelët qarkullojnë lirshëm në publik dhe kjo u jep mundësi të tjera që të përsërisin veprat e tyre kriminele.
Më 15 mars të vitit 2003, disa minuta pas mesnate u vra studenti i ri Burhan Jonuzi-Buli, për të cilin rast shkruan TV21. Vrasja ka ndodhur afër çerdhes “Fidani” në Çair të Shkupit. Respektivisht, në nënkalimin nga bulevardi “Krste Petkov Misirkov” në bulevardin “Nikolla Karev”.
I ndjeri ishte anëtarë i një familje të pasur nga Shkupi, që merrej me tregti me ari, ndërkaq në momentin e vrasjes, ai ishte duke u kthyer në shtëpi. Kjo vrasje aso kohe bëri bujë të madhe në opinion, pasi që atë kohë të pasluftës, gjegjësisht të konfliktit të vitit 2001, vrasjet në Shkup ishin të shpeshta. Sot e 20 vjet edhe pse në opinion ka spekulime të ndryshme, zyrtarisht institucionet e sistemit të drejtësisë asnjëherë nuk kanë arritur që të zbardhin rastin.
Pasiguri e madhe, besimi i ulët në gjyqësi, institucionet e papërgjegjshme që nuk janë fare në shërbim të qytetarëve, mungesa e meritokacisë, papunësia, zhvillimi i dobët ekonomik, krizë gjithandej, këto janë shkaqet kryesore që të rinjtë dëshpërohen deri në palcë dhe vendosin që këtë dëshpërim ta ngushëllojnë me largim nga vendi. Sepse, në të kundërtën nuk kanë fuqi t’ia dalin dot me këtë sistem të vjetruar që nuk prodhon perspektivë dhe kushte normale për jetesë. /Zhurnal.mk

