“Pashë në sytë e tij se çfarë do të thotë ky klub”, Lewandowski shpjegon se si Xavi ndikoi në përshtatjen e tij me Barcelonën

Sulmuesi polak, Robert Lewandowski ka siguruar titullin e parë të La Ligës në sezonin e tij të parë me Barcelonën dhe është në rrugë të mirë për të siguruar edhe çmimin e tij të parë ‘Pichichi’. Me vetëm dy ndeshje të mbetura, ai ka aktualisht 23 gola në La Liga, pesë gola më shumë sesa Karim Benzema.

Lewandowski është mësuar të jetë një fitues serik në Bayern Munich, por në moshën 34-vjeçare, pranoi se fitorja e Barcelonës kishte ndikuar shumë tek ai.

“Në rrugë kuptova se çfarë do të thotë për tifozët të fitosh Ligën. Për mua ishin shumë të veçanta, ndjenja të pabesueshme. Gjithçka që pashë, ishte shumë emocionuese”, ka thënë fillimisht Lewandowski.

Lewandowski ka fituar Bundesligën në dhjetë raste, por fitorja me Barcelonën duket më e veçantë.

Duke folur për TV3, Lewa pranoi se kishte një periudhë përshtatjeje me klubin dhe menaxheri Xavi Hernandez kishte qenë i rëndësishëm për të ndihmuar atë.

“Për mua, gjithçka ishte e re. Më duhej të kuptoja shumë gjëra. Kjo është arsyeja pse Xavi gjithmonë më shpjegon shumë gjëra për klubin dhe lojtarët, dhe ai e ka bërë më të lehtë për mua, veçanërisht në fillim”.

“Kur fola me të për Barcelonën, pashë në sytë e tij se çfarë do të thotë ky klub dhe ky qytet për të”, përfundoi sulmuesi polak.

Me eliminimin e Barcelonës nga Liga e Kampionëve dhe më pas nga Liga e Evropës më herët se sa pritej për të dytin sezon radhazi, Xavit i është lëkundur karrigia. Megjithatë, një gjë që bie në sy është se lojtarët e tij duket se janë të vendosur pas tij.