Pas tërmetit arrin ndihma në Afganistan
Bashkimi Evropian dërgon ndihmë në Afganistan pas tërmetit shkatërrues, me ç’rast jetën e humbën mbi një mijë njerëz, ndërsa së paku 1.500 janë lënduar.
Ndihma e BE-së për Afganistanin është në vlerë prej një milion euro, ndërsa mjetet do të shpërndahen nga grupet humanitare aktive në vend, përfshirë organizatat joqeveritare dhe Kombet e Bashkuara.
Sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh theksoi se KB është “tërësisht e mobilizuar” në Afganistan.
“Ekipet tona tashmë janë vendosur, po i vlerësojnë nevojat dhe sigurojnë mbështetje fillestare”, theksoi Guteresh.
Ndërkohë Tajvani paralajmëroi se do të dhurojë një milion dollarë për Afganistanin, por se nuk do të dërgojë ekipe shpëtimtarësh.
Edhe Kina paralajmëroi se do të ofrojë ndihmë për Afganistanin, por ende nuk janë kumtuar hollësi.
Më 22 qershor, në pjesën lindore të Afganistanit u regjistrua tërmet me intensitet prej 6,1 ballë sipas Shkallës së Rihterit. Më e goditur nga tërmeti është krahina juglindore afgane Paktika.
Pas tërmetit, talebanët kërkuan ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar. Japonia dhe Koreja e Jugut dje paralajmëruan se do të dërgojnë ndihmë në Afganistan.
Zëdhënësi i talebanëve Zanihullah Muxhahid dje në Tuiter kumtoi se në rajonin e rrezikuar Paktika nga Pakistani kanë arritur tetë kamionë me ushqim dhe artikuj të tjerë, si dhe dy aeroplanë me ndihmë humanitare nga Irani dhe nga Katari.
Organizimi i ndihmës së drejtpërdrejtë ndërkombëtare do të ishte i vështirë, sepse shumë vende, prëfhsirë edhe SHBA-në, dërgojnë ndihmë humanitare përmes KB-së dhe organizatave të tjera për të evituar dërgimin e parave talebanëve

