Pas Kylian, edhe Ethan Mbappe largohet nga PSG. 17-vjeçari pritet të firmosë me klubin tjetër francez

Një tjetër Mbappe largohet nga Parisi. Sipas asaj që raporton “Foot Mercato”, pas Kylian, i cili pret zyrtarizimin te Real Madridi, edhe Ethan Mbappé po i jep lamtumirën PSG.

Në moshën 17-vjeçare, vëllai i vogël i KM7 arriti të gjejë pak hapësirë në ekipin e parë të PSG, duke grumbulluar 3 paraqitje në Ligue 1 dhe 2 ndeshje në “Coupe de France”, gjithashtu duke shijuar ndarjen e fushës me vëllain e tij më të madh.

Megjithatë, tani, Ethan Mbappé ka vendosur t’i japë fund përvojës së tij në hijen e Kullës Eiffel dhe është gati të nënshkruajë me Lille, ekip i cili do të marrë pjesë në turet paraprake të Ligës së Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Klubi nga veriu i Francës bëri gjithçka për ta joshur Ethan dhe ia doli. Mesfushori tashmë ka treguar shumë personalitet, gjë që e shtyu Lille të veprojë shpejt dhe të përfitojë nga përfundimi i kontratës me PSG-në.