Pas fitores së Macron a do të fitojnë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor?

Shkup, 25 prill – Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Francë u mbajt dje. Sipas sondazhit të France Info, presidenti Macron fitoi 58,2 për qind të votave, kurse kandidatja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen 41,8 për qind.

Përqindja e atyre që nuk morën pjesë në zgjedhjet ishte 28,2 për qind. Kjo shifër është më e larta që nga viti 1969. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 71,8 për qind.

44-vjeçari Macron do të bëhet presidenti i tretë që është zgjedhur për herë të dytë në këtë detyrë.

Zgjedhjet presidenciale në Francë kanë ndikim të madh në Bashkimin Evropian, por edhe në politikën e Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor dhe procesit të zgjerimit, prandaj kësaj fitore më së shumti i gëzohen vendet e Ballkanit. Posaçërisht Kosova që ka nevojë për liberalizimin e vizave, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në prag të marrjes së datës për fillim të negociatave, shkruan Zhurnal.

Fitorja e Macronit është një vazhdimësi e politikës së Francës në BE, përfshirë edhe për procesin e zgjerimit të bllokut. Por, ajo që është e nevojshme të theksohet sikurse të ketë fituar kundërkandidatja e Macron, Le Pen, i tërë projekti evropian do të ishte rrezikuar, prandaj këto zgjedhje kanë qenë të një rëndësie të veçantë.

Le Pen për vite me radhë ka mbajtur qëndrime kundër BE-së.

Sa i përket Ballkanit Perëndimor, një fitore e Le Pen do të kishte pasur pasoja të mëdha. Ajo dhe anëtarët e partisë së saj, Tubimi Kombëtar (Rassemblement National), që janë deputetë në Parlamentin Evropian, kanë pasur qëndrime jashtëzakonisht miqësore me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe kontaktet në rajonin e Ballkanit Perëndimor i kanë zhvilluar pikërisht me njerëzit e afërt me Rusinë.

Partia e Le Pen ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës dhe ka mbështetur liderin e serbëve të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, në tentimet e tij për të rrezikuar unitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës. Deputetët e kësaj partie po ashtu kishin marrë pjesë edhe në manifestimin e ditës që entiteti i Republikës Sërpska e kishte shpallur si festë, që bashkësia ndërkombëtare e ka cilësuar si “festë të jashtëligjshme”.

Tani, Le Pen e ka kritikuar pushtimin rus të Ukrainës, por ka përsëritur se nëse zgjidhet presidente e Francës do të angazhohet për lidhje më të ngushta me Rusinë.

Pikërisht, ndikimi i Rusisë në Ballkan është identifikuar nga BE-ja dhe NATO-ja si rrezik për stabilitetin afatgjatë të këtij rajoni dhe për arritjen e qëllimeve të bllokut evropian në këtë rajon.

Nën udhëheqjen e Macronit, Franca ka pasur një qëndrim të përmbajtur rreth procesit të zgjerimit të BE-së. Parisi ka insistuar që BE-ja të ndryshojë metodologjinë e zgjerimit dhe kjo gjë ka ndikuar në ngadalësimin edhe më të madh të këtij procesi. Franca po ashtu vlerësohet se është pengesa kryesore për mos liberalizimin e vizave për Kosovën, si dhe ka qenë njëherë shkaktare për mos marrjen e datës Maqedonia e Veriut për fillim të negociatave me BE-në.

Por, diplomatët në Bruksel janë të bindur se me fitoren e Emmanuel Macron dhe nëse forcat pro-evropiane fitojnë edhe në zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen në qershor, Franca do të jetë më pozitive karshi procesit të zgjerimit dhe do të vazhdojë përkushtimin për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Franca, që mori kryesimin gjashtëmujor të Presidencës së BE-së në fillim të këtij viti, planifikon që të organizojë një konferencë të posaçme kushtuar Ballkanit Perëndimor. Në këtë konferencë pritet të diskutohet për problemet specifike, sidomos për raportet midis Kosovës dhe Serbisë dhe tensioneve politike në Bosnjë e Hercegovinë. Kjo konferencë është planifikuar të mbahet në qershor, pas zgjedhjeve në Francë.

Po ashtu, Franca ka paralajmëruar një bashkëpunim më të madh edhe me Gjermaninë, me qëllim që të çojë përpara dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja, proces i cili deri më tani nuk ka dhënë rezultate konkrete.

Pritet të ketë angazhim të Francës edhe për nisjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut para se të përfundojë kryesimin e Presidencës së BE-së, pra para fundit të muajit qershor.

Kujtojmë se pengesë për mos marrjen e datës për fillim të negociatave Maqedonia e Veriut me BE-në njëherë ka qenë Franca, e pastaj Bullgaria, e cila ka vendosur dy herë veto. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë shtete bllok që duhet të marrin datën në të njëjtën kohë. Pritet që me normalizimin e marrëdhënieve me shtetin fqinj Bullgarinë dhe zgjidhjen e konteksteve historike, kjo e fundit do t’i hap rrugë Maqedonisë së Veriut për fillim të negociatave me BE-në./Zhurnal.mk