Pas 12 vitesh premtime për shkollën në Vizbeg, nxënësit fillojnë mësimin në shkollën e re

Shkup, 2 shtator – Nxënësit e lagjes së Vizbegut, të cilët deri tani mësimin e kanë ndjekur nëpër shkollat e komunave të Çairit, Shuto Orizares dhe Butelit, më në fund vitin shkollor e filluan në shkollën e re të Vizbegut. Nxënësit nuk do të udhëtojnë më nga tre kilometra në këmbë për të ndjekur procesin edukativo-arsimor, tha drejtori i shkollës, Kadri Elezi. Në klasën e parë janë regjistruar 48 nxënës, ndërsa mbi 200 nxënës janë kthyer të ndjekin mësimin në shkollën e komunës ku ata jetojnë.

“Shkolla fillore e Vizbegut i plotëson të gjitha kushtet e nevojshme për fillimin e vitit shkollor. Të gjitha klasat dhe në përgjithësi objekti është rregulluar dhe nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë, kanë mundësi që të ndjekin mësimin lirshëm dhe pa asnjë problem kushtet janë të shkëlqyera. Nga komuna Butel, Çair, Shuto Orizare, janë kthyer diku 212 nxënës, ndërsa regjistrimi në klasë të parë në shkollën tonë ka arritur në 48 nxënës dhe në periudhën në vazhdim, presim që të paraqiten edhe nxënës të tjerë dhe ta ndjekin mësimin këtu. Shkolla posedon 20 klasa dhe shtatë kabinete.”, – deklaroi drejtori i shkollës fillore, “Vizbeg”, Kadri Elezi.

Kapaciteti i kësaj shkolle është për 1.000 deri në 1.200 nxënës. Nëse arrihet të përmbushet ky numër, mësimi do të vijojë në dy ndërrime, por aktualisht ka mungesë të mësimdhënësve, tha Elezi, i cili njoftoi se bëhen të gjitha përpjekjet për të plotësuar këtë boshllëk.

“Kryetari i komunës së Butelit, Darko Kosovtivski, ka pasur një takim me ministren Vesna Janevska, një procedurë që do të bëhet në mënyrë të përshpejtuar lidhur me pëlqimet që duhet të na vijnë nga ana e Ministrisë së Arsimit, për t’i pranuar pëlqimet dhe ne si shkollë të hapim konkurs për pranimin e kuadrit të ri mësimor dhe u bën thirrje të gjithë të interesuarve, që pasi t’i marrim pëlqimet, të paraqiten në shkollë për të konkurruar për vendin e punës, si mësues apo si arsimtar i kësaj shkolle.”, – deklaroi drejtori i shkollës fillore “Vizbeg”, Kadri Elezi.

Fillimisht mësimin në objektin e ri shkollor në shkollën fillore “Vizbeg” do ta ndjekin nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë, në dy gjuhë, (shqip dhe maqedonisht). Kujtojmë se kjo shkollë për herë të parë u premtua se do të ndërtohet në vitin 2012 nga kryetari i atëhershëm i komunës së Butelit, Petre Latinovski dhe premtimet kanë vazhduar çdo vit edhe nga ish-ministrat e Arsimit. Pas dymbëdhjetë viteve pritjesh e premtimesh, më në fund kjo shkollë u hap për nxënësit e lagjes së Vizbegut, por edhe kësaj radhe mungon kuadri arsimor.