Partneriteti BE-RMV dëshmohet me marrëveshjen me FRONTEKS-in dhe mbështetjen për krizën energjetike

Shkup, 27 tetor – Maqedonia e Veriut nënshkroi Marrëveshjen me FRONTEKS-in dhe gjithashtu do të marrë mbështetje financiare prej 80 milionë euro për t’u përballur me krizën energjetike. Me këtë, siç theksuan pas takimit të djeshëm, kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, premtimi po realizohet, por edhe bashkëpunimi në procesin e negociatave.

Marrëveshja me FRONTEKS-in është nënshkruar në gjuhën maqedonase dhe është dokumenti i parë i tillë zyrtar ndërmjet vendit dhe BE-së.

“Ju premtova se Marrëveshjen me FRONTEKS-in do ta nënshkruajmë në gjuhën maqedonase, pa fusnota dhe yje, në baza të barabarta me 24 gjuhët e BE-së dhe sot po japim rezultate. Kjo Marrëveshje nuk është e rëndësishme vetëm sepse forcon bashkëpunimin tonë për migracionin, por edhe sepse tregon se nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj dhe ne e respektojmë plotësisht këtë”, tha kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Dimitar Kovaçevski në Qeveri.

Fon der Lajen vlerësoi se Maqedonia e Veriut po ecën përpara, në rrugën evropiane.

Në konferencën për media, kryeministri Kovaçevski theksoi se nënshkrimi i kësaj Marrëveshjeje është premtim që e ka dhënë dhe premtim që e ka realizuar.

“Me këtë Marrëveshje do të mund të përballemi bashkërisht me migracionin ilegal dhe bashkërisht t’u përgjigjemi sfidave, por këtë herë do ta bëjmë nga territori ynë së bashku me forcat e Fronteks-it, theksoi ai.

Marrëveshja me FRONTEKS-in është nënshkruar dje në Qeveri nga ambasadori çek Jarosllav Ludva si përfaqësues i Presidencës çeke të Këshillit të BE-së dhe Komisares Evropiane për Punë të Brendshme Ilva Johanson, në emër të BE-së dhe nga ministri i Brendshme Oliver Spasovski, në emër të Maqedonisë së Veriut.

Gjatë vizitës së djeshme në Shkup, kryetarja KE-së prezantoi edhe grantin prej 80 milionë euro, mbështetje emergjente buxhetore nga BE-ja për përballimin e krizës energjetike në vend, i cili do të jetë në dispozicion nga janari.

“Përveç kësaj, për rajonin janë siguruar 500 milionë euro grante për investime, të cilat janë të nevojshme për pavarësinë e Evropës në energjetikë”, tha Fon der Lajen në konferencën e djeshme për shtyp me kryeministrin Kovaçevski.

Këto fonde janë pjesë e një pakete për mbështetjen e energjisë për të gjithë Ballkanin Perëndimor të ofruar nga Bashkimi Evropian për të ndihmuar vendet të përballen me ndikimin që rritja e çmimeve të energjisë ka tek qytetarët dhe bizneset.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se në dy muajt e ardhshëm do të kryhen të gjitha formalitetet dhe tashmë në janar mund të tërhiqen mjetet për mbështetje buxhetore.

“Kjo do të thotë se ato burime financiare në muajt më të vështirë, janar, shkurt, mars, do të mund të përdoren për të përballuar krizën energjetike, pra për qëllimet që do të parashikojë buxheti me buxhetin e vitit 2023, i cili së shpejti do të miratohet nga Qeveria dhe do të pranohet në Kuvend”, thotë Kovaçevski.

Kryetarja e Komisionit Evropian dje në Shkup filloi vizitën e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor. Fon der Lajen sot do të udhëtojë për në Prishtinë dhe Tiranë, të premten do të vizitojë Sarajevën dhe Beogradin, ndërsa të shtunën do të udhëtojë për në Podgoricë