Partitë maqedonase në gjah të votave shqiptare

Shkup, 18 maj – Zgjedhjet e parakohshme po afrohen bashkë me qershorin, ka dy arsye përse vendi ka gjasa të shkojë në zgjedhje të parakohshme, e para është kërkesa dhe bllokada opozitare në Kuvend, dhe e dyta është në rast dështimi për mos marrjen e datës për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian. Por, ajo që do të jetë interesante në këto zgjedhje është fakti se zhvillohet garë e shumëfish, politikanët maqedonas kanë depërtuar lehtësisht në kampin shqiptarë që para syve marrin votat shqiptare sikurse t’i kenë tapi prej prindërve, shkruan Zhurnal.

Fenomeni i ikjes së votës shqiptare te partitë maqedonase ka filluar më herët mirëpo jo shumë herët, bëhet fjalë për kohën kur populli shqiptarë përballej me furtuna të ndryshme për të mbijetuar pas tragjedive të përjetuara. Lufta e 9 majit, bombat e Zaevit ishin tronditje për shqiptarët, ku secili dilte e fliste pa hezitim duke treguar që shqiptarë të pafajshëm dergjen burgjeve, shqiptarët janë mjete për montim rastesh, në maje të gjuhës kishin fjalët që pas çdo aksioni policor shqiptarët etiketohesh me terrorist islamik, e indianë, e shumë tragjedi të tjera.

Pra, ishte momenti kur shqiptarët u lodhën nga kjo përballje e pa përballueshme me organet e rendit të cilët nuk mbanin rend, e organet e drejtësisë që ndanin padrejtësi. Ata kërkonin një shpëtimtar që me shkop magjik ta ndryshoj atë katrahurë të krijuar. Dhe duke e pas parasysh këtë nevojë jetike te shqiptarët, veterani politik, Zoran Zaev, e shfrytëzoi mundësinë që të depërtojë në shtëpitë e shqiptarëve dhe të pranojë votat sepse shqiptarët kërkonin një të tillë.

Shqiptarët atë kohë nuk i kishin nxjerrë votat në treg dhe nuk kërkonin një “blerës” serioz, por i kishin falas për atë politikan të cilit më nuk ia shikonin etninë e as gjininë vetëm aftësinë. Dhe si i tillë u prezantua Zaev, që me ardhjen e tij në pushtet gjithçka do të ndryshojë, por përpos emrit të shtetit dhe emrit të tij asgjë nuk ndryshoi, nga Maqedonia në Maqedoninë e Veriut dhe nga shpëtimtar në “tradhtar”.

Zaev e ka fituar pushtetin me votat e shqiptarëve ku arriti të bëhet më i besueshëm se sa vetë politikanët shqiptarë në kampin shqiptarë, duke marrë mbi 50 mijë vota shqiptare. Vota të cilat ishin vendimtare për fitoren e tij kundër partisë nacionaliste VMRO-DPMNE. Por kjo “formulë” e tij si duket rezultoi e suksesshme vetëm për sa kohë deri sa ishte në pushtet dhe u demaskua nga ata premtimet megalomane që i kishte dhënë e që nuk i ka realizuar.

Megjithatë, edhe pas përfundimit skandaloz të këtij keqpërdoruesit të votave të shqiptare, ende partia e tij e ka fokusin dhe shpresën te votuesi shqiptar, por tani më nuk do të jetë i vetëm sepse në gjah të votave shqiptare është edhe lideri i opozitares maqedonase, Hristijan Mickovski, i cili ka paralajmëruar se në listat për deputet do të ketë edhe kandidat shqiptarë.

Pas mbajtjes së Komitetit qendror të partisë së tij gjatë vikendit, ai bëri të ditur se është në kontakt me disa shqiptarë dhe kandidatë potencialë për deputetë nga bashkësitë e tjera etnike.

“Pse jo? Pse jo, kur ne kemi anëtarësi nga të gjitha bashkësitë etnike?! Maqedonia është e të gjithë njerëzve. Kjo është fushata jonë. Secili që ka ambicie, kualitete dhe përgjegjësi për të punuar për Maqedoninë e Veriut, është i mirëseardhur. Unë i inkurajoj dhe ju them se kam kontakte me disa prej tyre shqiptarë, turq, romë, boshnjakë, vlleh etj, që ata të gjenden në listën e ardhshme fituese të VMRO-DPMNE-së me të paktën 61 deputetë”, ka thënë Mickovski.

Nga ana tjetër kjo flet shumë për emancipimin e votuesit shqiptarë i cili në situata të ndryshme lirshëm mund të votojë edhe parti maqedonase, veprim i cili te votuesi maqedonas mbetet ende tabu temë apo fenomen që nuk duhet të ndodhë.

Megjithatë ky emancipim nuk ka ardhur vetvetiu, por nga vështirësitë e pa kënaqësitë përgjatë viteve nga partitë politike shqiptare.

Fatkeqësia e këtij emancipimi është fakti se tani vota shqiptare është e ndarë e copëtuar e përçarë në shumë anë, edhe krahas asaj që te kampi shqiptarë ka më shumë parti politike tani më i shtohen kësaj gare edhe partitë maqedonase. Thirrjet e dëgjuara shumë herë që kampit shqiptarë nuk i nevojiten më shumë se dy parti politike po tingëllojnë qesharake përshkak se në mënyrë legale e të hapur para syve, në kampin shqiptarë po garojnë edhe dy parti maqedonase. Pra, përpos që nuk po zvogëlohet numri i partive politike shqiptare po shtohet edhe më shumë edhe më ndryshe.

Me garën e partive maqedonase në kampin shqiptarë shtohet numri i deputetëve që flasin shqip në Kuvend, por kjo a do të ndikojë që gjendja e shqiptarëve në përgjithësi brenda vendit të ndryshojë në aspekt pozitiv, në përmirësimin e mirëqenies sociale, mbetet të shihet edhe se nuk pritet aspak. Pastaj këta deputet që janë në listat maqedonase reflektojnë qartazi se aty janë vetëm për tu ulur në karriget e Kuvendit, pa çka se interesi i shqiptarëve dëmtohet e vota shqiptare copëtohet, dhe deputetët e tillë edhe nëse bëhen është mirë të mos bëhen, sepse edhe kur bëhen reflektojnë sikur mos të jenë fare dhe nuk pritet asgjë prej tyre./ Zhurnal.mk