Partia “E Majta” dorëzon iniciativë tjetër për referendum kundër marrëveshjes Bullgari-RMV

Shkup, 7 tetor – Sot në Kuvend, partia “E Majta” ka dorëzuar edhe një kërkesë tjetër për referendum sa i përket marrëveshjes me Bullgarinë. Kryetari i ksëaj partie, Dimitar Apasiev, deklaroi se kërkesa e dorëzuar në Kuvend është për referendum të patjetërsueshëm. Ai tha se janë mbledhur 750 nënshkrime, ndërsa pyetja është : “A jeni për vazhdim të negociatave me BE-në duke pranuar konkluzionet e Kuvendit të 16 korrikut 2022”. Apasiev shtoi se pret që i pari i Kuvendit Talat Xhaferi të vendosë iniciativën në rend dite, informon Zhurnal.

Nga shumica parlamentare, deputeti i LSDM-së, Nenad Kociq akuzoi opozitën se po e pengon rrugën evropiane të shtetit.

Edhe VMRO-DPMNE para një muaji ka ngritur iniciativë për referendum për marrëveshjen mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Por, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e refuzoi këtë iniciativë me arsyetim se marrëveshja është ndërkombëtare dhe është ratifikuar në Kuvend, ndërsa sipas Kushtetutës, nuk mund të ndryshohet me ligj./Zhurnal.mk