Paris Hilton brenda 72 orëve ka grumbulluar 800 mijë dollarë ndihmë për Los Angelesin

Ylli i njohur televiziv, Paris Hilton, ka grumbulluar 800,000 dollarë brenda 72 orëve për viktimat e zjarreve në Los Angeles, raporton “Rolling Stone”.
Pas humbjes së shtëpisë së saj në Malibu për shkak të zjarreve, Hilton është mobilizuar shpejt për të ndihmuar me fonde emergjente, duke përdorur organizatën e saj jofitimprurëse, “11:11 Media Impact”.
“Rolling Stone” ka shkruar se ajo fillimisht kishte premtuar 100,000 dollarë ndihmë për familjet e prekura përmes “Community Organized Relief Effort (CORE)”, duke ofruar të dyfishonte çdo dhurim deri në 100,000 dollarë. Gjithashtu, ajo ka kaluar kohë si vullnetare në “Baby2Baby” dhe në “Pasadena Humane Society”, ku mori nën përkujdesje një qen të braktisur të quajtur Zuzu.
Hilton ka njoftuar se kishte dhuruar 150,000 dollarë nga 800,000 dollarët e mbledhur për Fondin e Ndihmës për Zjarret në GoFundMe, për të ndihmuar 150 familje në Altadena.
“Pas takimit me njerëz të prekur nga zjarret në Los Angeles, dëgjova histori tronditëse humbjeje, por gjithashtu ngushëlluese për qëndresën e tyre. Qëllimi im është të ndihmoj sa më shumë njerëz që të mundem sa më shpejt, dhe për këtë arsye po dhuroj 150,000 dollarë për Fondin e Ndihmës për Zjarret në GoFundMe, duke siguruar asistencë financiare për këto familje”, ka thënë ajo.
Hilton ka treguar se ka humbuar shtëpinë e saj në Malibu javën e kaluar dhe u shpreh se nuk mund ta pranonte ende lajmin.
“Kjo shtëpi nuk ishte thjesht një vend ku të jetonim, ishte vendi ku ëndërruam, qeshëm dhe krijuam kujtime të mrekullueshme si familje. Ishte vendi ku duart e vogla të Phoenix bënin art që do ta ruaj përjetësisht, ku dashuria dhe jeta mbushnin çdo qoshe… është shkatërruese përtej fjalëve”, pati thënë Hilton.
Ajo ka shtuar në Instagram se dëshironte të ndihmonte komunitetin.
“Ndërkohë që humba shtëpinë time në Malibu, mendimet e mia janë me shumë familje të tjera që kanë humbur shumë më tepër, shtëpitë, kujtimet e çmuara, komunitetet që donin dhe sigurinë e jetës së tyre”, ka shkruar tutje ajo.
Mbi 10,000 struktura janë shkatërruar nga zjarret që kanë përfshirë zona të ndryshme të Los Angeles, përfshirë Pacific Palisades, Malibu dhe Altadena, duke shkaktuar dëbimin e mbi 130,000 personave. Po ashtu, shumë të persona të famshëm kanë humbur shtëpitë e tyre, përfshirë Mandy Moore, Billy Crystal dhe Jhené Aiko.