Panel diskutim në kuadër të shënimit të Ditëve të Alfabetit

Shkup, 15 nëntor – Në kuadër të shënimit të Ditëve të Alfabetit, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në bashkëpunim me Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive sot organizuan panel diskutim, në kontekst të studimeve albanologjike në gjuhën gjermane.

Emin Azemi, udhëheqës në Departamentin e Letërsisë pranë Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, theksoi se për hulumtuesit gjermanë gjuha shqipe në njëfarë mënyre ishte krahasuar edhe si “trampolinë” me gjuhët e tjera që të merren rezultatet më të sakta në shkallën e linguistikës indoevropiane.

“Pra, të gjithë në fillim nuk kanë qenë albanologë klasikë, por kanë qenë ose ballkanologë ose sllavistë. Interesimi i albanologëve të cilët flasin gjuhën gjermane për historinë e shqiptarëve në të gjitha dimensionet e saj kulturore, gjuhësore, etnopsikologjike dhe arkeologjike ka një kronologji të hershme historike. Në shekullin 14 do të gjejmë gjurmët e albanologut Arnold fon Harfi në vitin 1947 ose në shekullin 15 i cili ka bërë fjalor i cili në shikim të parë dukej i vogël dhe modest, por në historinë e gjuhës sonë ai ka peshë të rëndësishme sepse evidentohet edhe historia e shkrimit. Kronologjikisht nga shekulli 15, 16, 17, 18, 19, në çdo shekull kemi pasur një plejadë të albanologëve të cilët kanë lënë gjurmë jo vetëm me punimet e tyre por edhe me çështjet që i kanë ngritur”, tha Azemi.

Profesoresha e gjuhës shqipe dhe letërsisë, Teuta Arifi foli për kontekstin historik, letrar dhe filozofik të studimit shkencor gjerman për gjuhën dhe letërsinë shqipe.

“Interesimi për kulturën shqiptare, ndërsa më vonë edhe për albanologjinë është rezultat direkt i politikës kulturore të zonës gjermanofolëse, e cila në njëfarë mënyre ndërton rëndësi jo vetëm për të tjerët në pikëpamje kulturore, por ndërton edhe rëndësi për vete në zgjerimin e saj territorial dhe kulturor”, tha Arifi.

Profesori Qemal Murati theksoi se një prej përfaqësuesve më të shquar të albanologjisë gjermane është Norbert Jokli. Potencoi se në studimet e linguistëve gjermanë nuk ka pasur interesa politikë, por ka pasur dhe ka interesa linguistike dhe filologjike.