Panel diskutim “Gjuha e urrejtjes dhe dezinformatat në rritje”

Shkup, 15 shkurt – Gjuha e urrejtjes dhe dezinformatat në vend janë në rritje, ndërsa pasojat nga përhapja dhe përdorimi i tyre mund të jenë shumë të dëmshme tregojnë të gjitha hulumtimet relevante, thonë nga Instituti i mediave.

Edhe përkundër ekzistimit të ligjeve aktive që e dënojnë gjuhën e urrejtjes në mënyra të ndryshme, ku bën pjesë edhe dënimi me burg dhe dënimi në të holla, në vend akoma është e pranishme shkallë e lartë e mosndëshkimit.                                                                          

“Shumë analiza tregojnë se Prokuroria Publike, Ministria e Punëve të Brendshme, Gjyqësori, më së shumti janë kritikuar për procedimin e ngadalshëm dhe joefikas të lëndëve që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes edhe pse këto raste shënonin rritje viteve të fundit. Në 26 gjykata ka pasur 5 raste që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes, një lëndë ndodhet në Gjykatën Penale.”,- tha Vesna Nikodinvska nga Instituti Maqedonas i Mediave.

Nga SHGM kërkojnë departament të veçantë në prokurori dhe gjykatë për mbrojtjen e gazetarëve.

“Kërkojmë të ketë departament të veçantë në suaza të Prokurorisë Themelore Publike, e cila do të punojë jo vetëm në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe implementimin e ndryshimeve të Kodit Penal, por ai departament do të duhet të përbëhet nga 3, 5 apo 7 prokurorë të trajnuar profesionalisht për vepra që kanë të bëjnë më gjuhën e urrejtjes.”,- theksoi Dragan Sekullovski nga ShGM.                                               

Nga Këshilli i Etikës theksojnë se janë në rënie ankesat për gjuhën e urrejtjes në media.                                                                                                  

“Nga 109 vendime që janë sjellë, 91.3%  kanë të bëjnë me internet portalet. Më së shumti ankohen qytetarët, pas tyre gazetarë dhe mediat, OJQ-të, por edhe ankesa nga politikanë, bartës të funksioneve publike. Reagohet për spekulimet në media, informimin e njëanshëm, informatat senzacionale etj.”,- u shpreh Marina Tuneva nga Këshilli për Etikë të Mediave në RMV.

Në suaza të Këshillit të Evropës në përgatitje është dokument i ri me rekomandime për identifikimin e gjuhës së urrejtjes.

“Jep një definicion të zgjeruar të gjuhës së urrejtjes që mungonte prej kohësh. Me zgjerimin e gjuhës së urrejtjes online, ku tani është zhvendosur viteve të fundit, bëhet fjalë për një problem multi-dimensional që kërkon përgjigje multi-dimensionale.”,- deklaroi Emilija Petreska Kamenjarova nga Agjencia për Shërbime Audio dhe Audiovizuale.

Në luftën kundër dezinformatave është e nevojshme të ngrihet vetëdija publike, të ketë mbështetje nga sektori civil dhe komuniteti i biznesit. Nga Instituti Maqedonas i Mediave njëherit kërkojnë që edhe mediat online t’i respektojnë rekomandimet për ruajtjen e etikës gjatë raportimit. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)